Politike

SPAK dërgoi për gjykim dosjen ndaj Veliajt, Etleva Deda caktohet gjyqtarja e seancës paraprake

Mësohet se në shortin që u mbajt sot në GJKKO, Deda pritet që të vendos nëse çështja ndaj Veliajt, bashkëshortes së tij Ajola Xoxës dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë dosje do të kalojë për gjykim apo jo. 

11 Shtator 2025, 09:23 Nga I.A

SPAK dërgoi për gjykim dosjen ndaj Veliajt, Etleva Deda caktohet

TIRANË- Etleva Deda është caktuar me short gjyqtarja e seancës paraprake ndaj Erion Veliajt. Mësohet se në shortin që u mbajt sot në GJKKO, Deda pritet që të vendos nëse çështja ndaj Veliajt, bashkëshortes së tij Ajola Xoxës dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë dosje do të kalojë për gjykim apo jo. 

SPAK ka përfuduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj. Në dosjen e kopsitur nga SPAK 13 akuza që rëndojnë mbi Veliajn dhe 12 akuza që rëndojnë mbi bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Në përfundim të hetimeve paraprake, ka rezultuar se Veliaj dhe Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste të veçanta, kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Nga hetimi penal janë grumbulluar të dhëna konkrete, të cilat provojnë se Veliaj, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar tek OJF-të e kontrolluara nga bashkëshortja e tij dhe individë të afërt me të. Gjithashtu, këta të pandehur, për shkak të funksionit që kryen Veliaj, kanë përfituar në mënyrë të parregullt edhe pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme nga subjekte tregtarë që kanë marrë fonde publike dhe leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë.

Në të gjitha këto episode të pandehurit, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal. Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar si edhe organizatat jofitimprurëse të lartpërmendura, duke dhënë përfitime të parregullta për shkak të detyrës që kryen i pandehuri Erion Veliaj, kanë konsumuar elementët e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal./Dosja.al

erion veliaj etleva deda

Sondazh

Poll