Politike

Tre ditë pas mbylljes së hetimeve, Monika Kryemadhi në SPAK: Nuk pranoj gjykim të shkurtuar, do thërras Shatkun dëshmitar

Kryemadhi në një deklaratë të shkurtër më gazetarët, hodhi akuza se dëshmitarët janë intimiduar.

1 Shtator 2025, 12:22 Nga E. D
Tre ditë pas mbylljes së hetimeve, Monika Kryemadhi në SPAK: Nuk
Monika Kryemadhi

TIRANË- Monika Kryemadhi është paraqitur ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme në zbatim të masës detyrim paraqitjeje. Kryemadhi në një deklaratë të shkurtër më gazetarët, hodhi akuza se dëshmitarët janë intimiduar.

Ajo theksoi se sheh shpërdorim të detyrës dhe tejkalim kompetencash përveç diskriminim dhe intimidim ndaj dëshmitarëve dhe gjitha këto janë gjëra që SPAK i ka përdorur për të marrë informacione ndaj bizneseve të ndryshme. 

“Nuk ka asgjë të re për dosjen, zbritur nga kati i tretë në kat të parë. Nuk do të ketë gjykim të shkurtuar për mua, do të kërkoj dëshmitarë të tjerë përveç atyre që ka thirrur SPAK-u. Kam marrë një kredi me afat 10-vjeçar dhe mami im e ka larë për 9 muaj, kjo qenka e paligjshme. Do të bëjmë analizë financiare, sepse eksperti i prokurorisë nuk është i licencuar.

Nuk më duhen llogaritë e biznesmenëve, as kontratat e shtëpive, të gjitha këto SPAK-u i ka përdorur për të intimiduar bizneset. Ka një diskriminim. Do të kërkoj dëshmitarë të tjerë, emrat do të jenë shumë interesantë, do të thërras Adrian Shatkun, SPAK-u tha se nuk e ka pyetur pasi nuk ka ardhur në Shqipëri, ndërkohë i dërguan edhe reçipeta në SHBA", tha Kryemadhi.

Kryemadhi gjithashtu po hetohet nga SPAK për tre akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash. Gjykata la në fuqi më 23 tetor masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj Kryemadhit, për të njëjtat vepra penale, si dhe ndaj të hetuarës Ema Çoku, për pastrim parash.

Ndërkohë ndaj Piro Xhixhos, i hetuar për korrupsion pasiv, iu zëvëndësua masa e sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Të tre të hetuarit nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje” urdhërohen të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore të SPAK./Dosja.al

monika kryemadhi spak

Sondazh

Poll