Aktualitet

"Deklaratat ndaj gjyqtarëve cënojnë figurën dhe dinjitetin tonë," KLGJ reagon pas akuzave të Ramës: Ushtrimi i funksionit duhet të jetë i pavarur!

KLGJ shton se ushtrimi i profesionit duhet të jetë i pavarur. Më tej Këshilli bëri thirrje që të respektohet pavarësia e gjyqësorit si një nga themelet e shtetit të së drejtës.

29 Gusht 2025, 17:38 Nga N.F
"Deklaratat ndaj gjyqtarëve cënojnë figurën dhe
FOTO

TIRANË- Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ ka dalë me një reagim në lidhje me deklaratat që kryeministri Edi Rama ka bërë lidhur me gjyqtarët që  kanë dhënë për vendimet për subjektet e ndërtuara pa leje në hapësira publike. Në reagim KLGJ thekson se këto deklarata cënojnë figurën e gjyqarëve si dhe minojnë pavarësinë e gjyqësorit.

KLGJ shton se ushtrimi i profesionit duhet të jetë i pavarur. Më tej Këshilli bëri thirrje që të respektohet pavarësia e gjyqësorit si një nga themelet e shtetit të së drejtës. Gjithashtu theksohet se çdo ankesë apo pretendim në lidhje me sjelljen apo integritetin e një gjyqtari duhet të drejtohet pranë institucioneve përkatëse.

Reagimi i plotë:

Këshilli i Lartë Gjyqësor, duke marrë shkas nga deklaratat e fundit të subjekteve publike apo private, rithekson edhe njëherë se deklarata të tilla cënojnë figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve si dhe minojnë pavarësinë e pushtetit gjyqësor.

Në çdo shoqëri demokratike, gjyqtarët janë garantues të barazisë së palëve përpara ligjit. Për rrjedhojë, ushtrimi i funksionit të tyre duhet të jetë i pavarur dhe i çliruar nga çdo formë ndikimi, duke ju nënshtruar vetëm Kushtetutës dhe ligjeve. Në një shtet të së drejtës, ndarja dhe balancimi i pushteteve përbën parim themelor dhe gjyqtari ushtron funksionet në mënyrë të pavarur, duke vlerësuar faktet dhe interpretuar ligjin, i lirë nga çdo ndikim i jashtëm.

Këshilli ju bën thirrje gjithë subjekteve publike dhe private të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit si një nga themelet e shtetit të së drejtës. E vetmja rrugë për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është përmes mjeteve procedurale të parashikuara nga ligji, duke u ankuar në një gjykatë më të lartë. Po ashtu, çdo ankesë apo pretendim në lidhje me sjelljen apo integritetin e një gjyqtari duhet të drejtohet pranë institucioneve përkatëse.

KLGJ në përputhje me kompetencat kushtetuese, shpreh mbështetjen e plotë ndaj të gjithë gjyqtarëve dhe përpjekjeve të tyre të përditshme në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve dhe në shërbim të interesit publik. Po ashtu i inkurajon ata të ushtrojnë funksionin e tyre, në mënyrë të përgjegjshme dhe të pavarur nga çdo ndikim i jashtëm.

Në një shtet të së drejtës – i cili sot është më pranë se kurrë aspiratës për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian – vetëm përmes një sistemi gjyqësor të pavarur mund të sigurohet barazia para ligjit dhe një drejtësi efektive, e cila meriton besimin e publikut.

klg

Sondazh

Poll