Aktualitet

Prokuroria i sekuestroi 18 pasuri të palujtshme, zbardhen detaje nga transaksionet e dyshimta të kryera nga Kristian Koni

Në kuadër të hetimeve rezultoi se ky 45-vjeçari dhe nëna e tij në pension, kanë veprimtari me origjinë kriminale që lidhet me Konin dhe historikun e tij të mëparshëm kriminal.

29 Gusht 2025, 11:41 Nga r.ll
Prokuroria i sekuestroi 18 pasuri të palujtshme, zbardhen detaje nga
kristian koni

TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar ditën e djeshme 18 pasuri të palujtshme me vlerë 26.5 milionë euro në pronësi të shtetasit Kristian Koni dhe nënës së tij. 45-vjeçari ishte i dënuar nga drejtësia italiane për vrasje dhe trafik droge. Ndërkohë ditën e sotme janë zbardhur detaje lidhur me veprimtaritë dhe transaksionet e dyshimta të Konit. Sipas raportimeve, Koni është përfshirë në blerjen e një vile rezidenciale në zonën e Mulletit. Hetimet kanë treguar se kjo pasuri është siguruar përmes kontratave të dyshimta, me një çmim shumë më të ulët sesa vlera fillestare e saj.

Fillimisht, vila ishte porositur nga shtetasi Vesel Demiraj për 808,000 euro, por kontrata u revokua pasi pagesat nuk u përmbushën. Më pas, e njëjta vilë rezulton të jetë objekt i një marrëveshjeje të re me shoqërinë “Kriol.Al” sh.p.k., të administruar nga Koni, me çmim prej 300,000 eurosh. Pagesa parashikonte një këst fillestar prej 202,000 eurosh, ndërsa pjesa tjetër në disa këste të papërcaktuara. Hetuesit shprehen se ky transaksion, ngre dyshime të forta për pastrim parash, duke qenë se diferenca mes çmimit real dhe atij të rënë dakord është tepër e lartë.

Në njoftimin e djeshëm të prokurorisë thuhej se ka dyshime që këto pasuri të jenë përfituar në mënyrë të paligjshme nëpërmjet veprimtarisë kriminale. Në kuadër të hetimeve rezultoi se ky 45-vjeçari dhe nëna e tij në pension, kanë veprimtari me origjinë kriminale që lidhet me Konin dhe historikun e tij të mëparshëm kriminal.

Ai rezulton i përfshirë në një rrjet të strukturuar kriminal të trafikut të narkotikëve në Itali gjatë periudhës 2007–2012. Po ashtu, u dokumentua përdorimi i disa identiteteve të ndryshme, si dhe transaksione financiare të pajustifikuara në raport me të ardhurat e ligjshme të deklaruara të personave përkatës.

Bëhet me dije se pasuritë e sekuestruara përfshijnë dy automjete luksoze të llojit Range Rover dhe Smart, të regjistruara me targa karakteristike, si dhe llogaritë bankare të personave fizikë dhe juridikë të përfshirë në këtë hetim. Pasuritë përfshijnë gjithashtu prona në zonat e Tiranës, Bathores, Farkës, Marikajt etj. Hetimet vijojnë dhe pritet që në vijim të identifikohen edhe pasuri të tjera të lidhura me veprimtarinë kriminale.

kristian koni

Sondazh

Poll