Politike

Rama poston fotot: Gjykatësi Ligoraq nuk mbajti anën e komunitetit të zënë në kurth nga ky ndërtim pa leje! Përgjigja mbi akuzat për presion ndaj gjyqësorit

Kreu i qeverisë shton se gjykatësi do t'i bashkohet emrave të tjerë që janë në dosjen që Ministria e Drejtësisë, që thotë se do t’i përcillet organeve të kontrollit e të vetëqeverisjes së gjyqësorit. 

28 Gusht 2025, 13:00 Nga r.ll
Rama poston fotot: Gjykatësi Ligoraq nuk mbajti anën e komunitetit
foto e postuar nga rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka vënë nën shënjestër një tjetër gjykatës lidhur me ndërtimet pa leje. Rama shkruan në një postim në rrjetet sociale së një gjykatës më emrin Ligoraq ka vendosur pro ndërtimit të një dyqani të ngritur mes dy pallateve. Sipas tij, ky biznes pengon jetën e komunitetit aty dhe shton se në rast zjarri pengohet dhe lëvizja e banorëve dhe e zjarrfikësve. 

Kreu i qeverisë shton se gjykatësi do t'i bashkohet emrave të tjerë që janë në dosjen që Ministria e Drejtësisë, që thotë se do t’i përcillet organeve të kontrollit e të vetëqeverisjes së gjyqësorit. 

Rama i është përgjigjur edhe akuzave për presion nga ai mbi gjyqësorin, ku thotë se nuk do të heshtin së adresuari rastet e shpërdorimit në organet përkatëse nga prokurorë apo gjykatës sipas tij "të paaftë, të papërgjegjshëm apo pa atdhe fare". Ndërkohë shton se qëndrimi ndaj këtyre personave nuk ka lidhje me mbështetjen e tij për drejtësinë dhe institucionet e saj, në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe lirive e të drejtave të njerëzve.

POSTIMI I PLOTË: 

Gjykatësi Ligoraq vendosi në pak minuta pa praninë e palëve, që të mos hapet kalimi i mbyllur nga kjo ngrehinë pa leje me kupolë xhami mes dy pallateve, nën të cilën shtrihet një dyqan ku bëhet tregti në kurriz të komunitetit. 

Gjykatësi Ligoraq nuk e ka parë të udhës që të mbajë anën e komunitetit të zënë në kurth nga ky ndërtim pa leje dhe me siguri as nuk e ka menduar që mos o Zot, në rast zjarri ky dyqan kthehet në barrikadë vrastare, e pakapërcyeshme edhe për banorët edhe për zjarrfikësit.

Gjykatësi Ligoraq i bashkohet kësisoj prokurores Gjeli, gjykatësve Balliu e Demiri, në dosjen që Ministria e Drejtësisë do t’i përcjellë organeve të kontrollit e të vetëqeverisjes së gjyqësorit, ndërkohë që ne do të kërkojmë që ankimimeve në këto organe t’u bashkohen edhe qytetarët e dëmtuar nga këto masa sigurie absurde, në dëm të komunitetit, mjedisit dhe rendit ligjor

Post Scriptum. Atyre që komentojnë apo bëjnë deklarata publike për gjasme presion nga ana ime mbi gjyqësorin, u them se për të mbrojtur interesin publik, të drejtën e komunitetit dhe të drejtat e liritë e njerëzve nga shpërdoruesit e detyrës në radhët e gjyqësorit, ne as do të heshtim më, as do të ndalemi së adresuari rastet e shpërdorimit në organet përkatëse të cilat Kushtetuta e ligji i ngarkojnë edhe me mbrojtjen e interesave të popullit e të shtetit, nga prokurorë e gjykatës të paaftë, të papërgjegjshëm, të dyja bashkë apo edhe më keq, pa atdhe fare. 

Por askush të mos ngatërrojë qëndrimin ndaj këtyre individëve, me qëndrimin tonë të palëkundur në mbështetje të drejtësisë dhe institucioneve të saj, në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe lirive e të drejtave të njerëzve.

 

edi rama

Sondazh

Poll