Aktualitet

EMRAT/ Ndezën zjarr në Lushnjë dhe Fier, vihen në pranga tre persona 

Në pranga kanë rënë Faik Buzi, Gëzim Hysi dhe Novruz Deneku.

15 Gusht 2025, 09:51 Nga E. D
EMRAT/ Ndezën zjarr në Lushnjë dhe Fier, vihen në pranga tre
foto ilustruese

FIER- Tre persona janë arrestuar nga policia e Fierit, pasi akuzohen për zjarrvënie të qëllimshme. Në pranga kanë rënë Faik Buzi, Gëzim Hysi dhe Novruz Deneku. Sipas policisë Faik Buzi 68 vjeç, u kap në flagrancë duke ndezur zjarr përbri argjinaturës së lumit Gjanica. Gjithashtu, dyshohet se ka shkaktuar 3 vatra të tjera zjarri në lagjen ku banonte. Si pasojë e përhapjes së flakëve nga era, u dogj një sipërfaqe toke me bimësi të egër.

Ndërsa në Lushnje u arrestuan Gëzim Hysi 61 vjeç dhe Novruz Deneku 62 vjeç. Gëzim Hysi akuzohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij në lagjen "18 tetori" për djegien e mbeturinave. Flakët, u përhapën deri te ish-fusha e mbetjeve urbane në Lushnje, duke rrezikuar disa banesa në atë zonë. Ndërsa Novruz Deneku ndezi zjarr në afërsi të banesës së tij për djegien e mbeturinave.  Ndërkohë materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë:

Fier-Lushnjë/Identifikohen dhe arrestohen 3 shtetas, për zjarrvënie të qëllimshme.

-Fier/Kapet në flagrancë, duke ndezur zjarr tek argjinatura e lumit Gjanica, arrestohet 68-vjeçari me precedent për zjarrvënie dhe për dhunë në familje.

Si pasojë e flakëve, u dogj një sipërfaqe toke me bimësi të egër.

-Lushnjë/Në pranga autorët e zjarrvënieve te ish fusha e mbetjeve urbane dhe në fshatin Delisufaj.

Si pasojë e zjarreve u rrezikuan banesa në këto zona.

Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale për përcaktimin e autorësisë së rasteve të zjarrvënieve, specialistët për Hetimin e Krimeve të komisariateve të Policisë Fier dhe Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasit:

-F. B., 68 vjeç, banues në lagjen “Bishanak”, Fier, i cili u kap në flagrancë, duke ndezur zjarr përbri argjinaturës së lumit Gjanica. Gjithashtu, dyshohet se ka shkaktuar 3 vatra të tjera zjarri në lagjen ku banonte. Si pasojë e përhapjes së flakëve nga era, u dogj një sipërfaqe toke me bimësi të egër.

-G. H., 61 vjeç, banues në Lushnjë, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr, në tokën e tij, në lagjen "18 tetori", për djegien e mbeturinave. Flakët, të cilat janë përhapur deri te ish fusha e mbetjeve urbane, kanë rrezikuar banesa në këtë zonë;

-N. D., 62 vjeç, banues në fshatin Delisufaj, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr, në afërsi të banesës së tij, për djegien e mbeturinave. Flakët janë përhapur në një territor të konsiderueshëm të fshatit dhe kanë rrezikuar banesa.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

policia e fierit

Sondazh

Poll