Aktualitet

I akuzuar për krime lufte, del para gjykate Ramadan Morina

Morina doli sot para gjykatës në kryeqytet, pasi prokurorët kërkuan 1 muaj paraburgim për të. Prokuroria Speciale e Kosovës tha se Morina dyshohet se mori pjesë në masakrimin e 34 civilëve shqiptarë në fillim të vitit 1999 në një fshat të Malishevës, në juglindje të vendit.

14 Gusht 2025, 11:23 Nga DOSJA
I akuzuar për krime lufte, del para gjykate Ramadan Morina
foto ilustruese

PRISHTINË- Gjykata Themelore në Prishtinë do të vendosë sot për kërkesën e prokurorëve për ta dërguar në paraburgim Ramadan Morinën, i cili u arrestua të martën nën dyshimin për krime lufte kundër popullatës civile gjatë vitit 1999 në Kosovë.

Morina doli sot para gjykatës në kryeqytet, pasi prokurorët kërkuan 1 muaj paraburgim për të. Prokuroria Speciale e Kosovës tha se Morina dyshohet se mori pjesë në masakrimin e 34 civilëve shqiptarë në fillim të vitit 1999 në një fshat të Malishevës, në juglindje të vendit.

“R.M. dyshohet se gjatë luftës në Kosovë, më 29-31 mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në masakrën e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim, Komuna e Malishevës”, sipas Prokurorisë.

Prokuroria tha se kundër të akuzuarit ka siguruar prova materiale, përfshirë dëshmi të dëshmitarëve të ngjarjes dhe të të mbijetuarve.

Së fundi, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur disa aktakuza për krimet që janë kryer gjatë luftës më 1998-’99.

Po ashtu, që nga përfundimi i luftës, dhjetëra persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-1999 janë vrarë më shumë se 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur. Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë./REL

prishtine

Sondazh

Poll