Aktualitet

Punësimi në sektorin bankar po rritet për të gjashtin vit radhazi

Numri i të punësuarve në sektorin bankar ka arritur nivelin më të lartë historik, i mbështetur nga cikli pozitiv i sektorit në vitet e fundit, i karakterizuar nga një rritje me ritme të shpejta e kredisë, e aktiveve në përgjithësi dhe nga përmirësimi i performancës financiare.

14 Gusht 2025, 07:22 Nga E. D
Punësimi në sektorin bankar po rritet për të gjashtin vit
foto ilustruese

TIRANË- Punësimi në sektorin bankar po rritet për të gjashtin vit radhazi. Të dhënat e Shoqatës Shqiptare të Bankave tregojnë se në mesin e këtij viti bankat tregtare në vend raportuan 7343 të punësuar, në rritje me 2.6% që nga fillimi i vitit dhe me 4.4% krahasuar me një vit më parë.

Numri i të punësuarve në sektorin bankar ka arritur nivelin më të lartë historik, i mbështetur nga cikli pozitiv i sektorit në vitet e fundit, i karakterizuar nga një rritje me ritme të shpejta e kredisë, e aktiveve në përgjithësi dhe nga përmirësimi i performancës financiare.

Periudha e konsolidimit të sektorit bankar mes viteve 2015-2022 solli ulje të numrit të bankave aktive, nga 16, në 11. Përqendrimi shkaktoi dublime të pozicioneve të punës, por edhe të rrjetit të degëve, çka çoi në mënyrë të paevitueshme shkurtime të stafit. Por, megjithatë, efektet e kësaj faze konsolidimi në treguesit e punësimit janë tejkaluar.

Punësimi në sektorin bankar iu kthye rritjes që prej vitit 2020, ndërsa në vitin 2023 numri i të punësuarve në banka e kishte kaluar nivelin e vitit 2016, vit kur pati nisur cikli i bashkimeve mes bankave tregtare, që solli shkurtimin e rreth 600 vendeve të punës gjatë tre viteve në vazhdim.

Rritja e numrit të të punësuarve është gjithashtu një dëshmi e faktit që dixhitalizimi i shërbimeve dhe produkteve bankare nuk ka ulur nevojën për burime njerëzore, por thjesht ka sjellë orientimin e tyre drejt pozicioneve të tjera.

Rritja e dixhitalizimit po sjell më pak nevojë për punonjës për procese bazike të lidhura me pagesat në degë, por po kompensohet nga zgjerimi i stafeve të lidhura me shërbimet që mbështeten te teknologjia, si edhe rritja e punësimit në pozicionet administrative, duke ndjekur edhe një cikël të natyrshëm të rritjes së biznesit.

Edhe numri i degëve të sektorit bankar i është kthyer rritjes. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në mesin e këtij viti bankat raportuan 409 degë, nga 405 që kishte qenë numri i tyre në fund të vitit 2024 dhe 391 që kishte qenë një vit më parë.

Nga ana tjetër, pas një cikli 7-vjeçar konsolidimi, numri i aktorëve në tregun bankar po rritet përsëri.

Në muajin gusht, Banka e Shqipërisë miratoi hyrjen në treg të degës së bankës më të madhe turke, Ziraat, që pritet të fillojë aktivitetin bankar brenda disa muajsh.

Kjo do ta rrisë numrin e bankave aktive në treg në 12. Ndërkohë, në Bankën e Shqipërisë është paraqitur një aplikim tjetër për licencë bankare, nga disa investitorë nga Izraeli.

Hyrja e aktorëve të rinj në treg përbën premisë për rritjen e mëtejshme të numrit të të punësuarve dhe të degëve të bankave tregtare në Shqipëri.

Të dhënat e paaudituara nga Shoqata Shqiptare e Bankave tregojnë se totali i aktiveve të sektorit bankar në mesin e këtij viti arriti në 2.161 trilionë lekë, në rritje vjetore me 8%./MONITOR

Sondazh

Poll