Politike

Kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë, shtyhet në GJKKO seanca për Metën, gjyqtari shpall moskompetencë! Avokati: Nuk ka më arsye pse ta mbajnë në paraburgim

Bëhet me dije se gjyqtari Erjon Bani me kërkesë të avokatit të Metës shpalli moskompetencën, sepse çështja duhet të gjykohet nga gjyqtari që ka vendosur masën e sigurisë dhe ndjekur hetimet paraprake.

8 Gusht 2025, 10:53 Nga M.B
Kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë, shtyhet në GJKKO
Ilir Meta

TIRANA-Seanca gjyqësore për kërkesën e ndryshimit të masës së sigurisë për kreun e PL-së Ilir Meta është shtyrë nga togat e zeza në GJKKO. Bëhet me dije se gjyqtari Erjon Bani me kërkesë të avokatit të Metës shpalli moskompetencën, sepse çështja duhet të gjykohet nga gjyqtari që ka vendosur masën e sigurisë dhe ndjekur hetimet paraprake.

Avokati i Metës, Kujtim Cakrani shpjegoi pas seancës se gjyqtari i hetimit paraprak, Erjon Çela është me pushime dhe për këtë arsye çështja u mor përsipër nga gjyqtari i gatshëm Erjon Bani. Cakrani kërkoi që kërkesa për lirimin e Ilir Metës të shqyrtohet nga Çela dhe jo nga Bani. Për këtë arsye, ky i fundit shpalli moskompetencë dhe seanca e radhës pritet të mbahet javën e ardhshme.

“Ne duam të zhvillojmë procesin të rregullt, me gjyqtarin që ka ndjekur hetimet, pse jo edhe me prokurorët që kanë hetuar këtë çështje. Jemi në pritje që javën tjetër kur do kthehet nga pushimet z.Çela do zhvillojmë seancën siç e parashikon ligji procedural. Z.Meta do të lirohet se nuk ka më asnjë arsye pse ta mbajnë në paraburgim”, tha avokati Cakrani.

Presidenti i Partisë së Lirisë u arrestua më 21 tetor 2024. Ai dhe deputetja Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t'i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.

Konkretisht, Kryemadhi u hetua për tre akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash. Gjykata la në fuqi më 23 tetor masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj Kryemadhit, për të njëjtat vepra penale, si dhe ndaj të hetuarës Ema Çoku, për pastrim parash.

Ndërkohë ndaj Piro Xhixhos, i hetuar për korrupsion pasiv, iu zëvëndësua masa e sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Të tre të hetuarit nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje” urdhërohen të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore të SPAK.

ilir meta

Sondazh

Poll