Aktualitet

Vrasja e Frrok Lleshajt në Vaun e Dejës, autori dyshohet se u largua me motor

 Nga deklarimet e deritanishme, raportohet të jetë thënë se fqinjët nuk kanë dëgjuar të shtëna dhe kjo për hetuesit lë dyshime se autorët mund të kenë përdorur një pistoletë me silenciator.

5 Gusht 2025, 12:17 Nga M.B
Vrasja e Frrok Lleshajt në Vaun e Dejës, autori dyshohet se u largua
Foto nga vendi i ngjarjes

VAU I DEJES- Të tjera detaje vijojnë të dalin lidhur me vrasjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Vaun e Dejes ku viktimë mbeti 65-vjeçai Frrok Lleshaj. Momentalisht mësohet se janë marrë në pyetje 12 persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Sipas të dhënave të deri tanishme, 65-vjeçari është qëlluar me pistoletë nga një distancë e afërt dhe kjo forcon dyshimet se autori nuk ka qenë i vetëm, por ka pasur bashkëpunëtorë. Gjithashtu bëhet me dije se Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së një banese pranë vendit të ngjarjes, të cilat pritet të ndihmojnë në identifikimin e autorëve. Paraprakisht dyshohet se se autori është larguar me motorçikletë.

Viktima Frrok Lleshaj u gjet i vrarë nga kalimtarët e fshatit jo shumë larg nga banesa e tij. Policia e Shkodrës ka shoqëruar disa persona që mund të kenë dijeni për vrasjen si dhe familjarë. Nga deklarimet e deritanishme, raportohet të jetë thënë se fqinjët nuk kanë dëgjuar të shtëna dhe kjo për hetuesit lë dyshime se autorët mund të kenë përdorur një pistoletë me silenciator.

Momentalisht pista kryesore e vrasjes për policinë mbetet ajo e gjakmarrjes. Sipas informacioneve, hasmëria mes familjes Lleshaj dhe dy familjeve të tjera ka prodhuar që nga fillim vitet ’90, 5 viktima. Frrok Lleshaj është i treti që vritet pas djalit dhe vëllait të tij në fillim vitet ’90 ndërsa të vrarë janë edhe kushëriri i tij Dodë Lleshaj me të cilin lindi konflikti dhe një person tjetër nga Puka.

Bëhet me dije se kjo histori nisi në vitin 1991 kur djali i 65-vjeçarit u vra në Greqi teksa në atë kohë u tha se të riun e vrau policia greke në rrethana që nuk dihen, por familja e Frrok Lleshaj dyshonte se kushërinjtë e tij kishin lidhje në këtë ngjarje. Pak vite më vonë ka dyshime se 65-vjeçari mori gjakun e djalit të tij duke vrarë kushëririn Dodë Lleshaj. Frrok Lleshaj nuk e pranoi asnjëherë autorësinë e kësaj ngjarje.

Një tjetër konflikt lindi me një familje nga Puka teksa Frrok Lleshaj qëlloi për vdekje një person tjetër, ngjarje të cilën e pranoi në gjykatë dhe u dënua me 25 vite burg. Sipas dyshimeve, nga këto dy hasmëri të vjetra mbetet i vrarë edhe vëllai i Frrok Lleshaj.

frrok lleshaj

Sondazh

Poll