Aktualitet

Vrasja e 65-vjeçarit në Vaun e Dejes, pista kryesore e hetimeve, hakmarrja! Dyshime për përdorim të një arme me silenciator nga autorët gjatë krimit

Policia e Shkodrës ka shoqëruar disa persona që mund të kenë dijeni për vrasjen si dhe familjarë. 

5 Gusht 2025, 11:01 Nga M.B
Vrasja e 65-vjeçarit në Vaun e Dejes, pista kryesore e hetimeve,
Frrok Lleshaj

VAU I DEJES- Një vrasje me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e djeshne në fshatin Paçram në Vaun e Dejës ku viktimë ka mbetur 65-vjeçari i identifikuar si Frrok Lleshaj. Ai u gjet i vrarë nga kalimtarët e fshatit jo shumë larg nga banesa e tij.

Policia e Shkodrës ka shoqëruar disa persona që mund të kenë dijeni për vrasjen si dhe familjarë. Nga deklarimet e deritanishme, raportohet të jetë thënë se fqinjët nuk kanë dëgjuar të shtëna dhe kjo për hetuesit lë dyshime se autorët mund të kenë përdorur një pistoletë me silenciator.

Momentalisht pista kryesore e vrasjes për policinë mbetet ajo e gjakmarrjes. Sipas informacioneve, hasmëria mes familjes Lleshaj dhe dy familjeve të tjera ka prodhuar që nga fillim vitet ’90, 5 viktima. Frrok Lleshaj është i treti që vritet pas djalit dhe vëllait të tij në fillim vitet ’90 ndërsa të vrarë janë edhe kushëriri i tij Dodë Lleshaj me të cilin lindi konflikti dhe një person tjetër nga Puka.

Bëhet me dije se kjo histori nisi në vitin 1991 kur djali i 65-vjeçarit u vra në Greqi teksa në atë kohë u tha se të riun e vrau policia greke në rrethana që nuk dihen, por familja e Frrok Lleshaj dyshonte se kushërinjtë e tij kishin lidhje në këtë ngjarje. Pak vite më vonë ka dyshime se 65-vjeçari mori gjakun e djalit të tij duke vrarë kushëririn Dodë Lleshaj. Frrok Lleshaj nuk e pranoi asnjëherë autorësinë e kësaj ngjarje.

Një tjetër konflikt lindi me një familje nga Puka teksa Frrok Lleshaj qëlloi për vdekje një person tjetër, ngjarje të cilën e pranoi në gjykatë dhe u dënua me 25 vite burg. Sipas dyshimeve, nga këto dy hasmëri të vjetra mbetet i vrarë edhe vëllai i Frrok Lleshaj.

 

frrok lleshaj

Sondazh

Poll