Aktualitet

Plagosja e Juglen Abazit në Tiranë, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori! Vihet në pranga një bashkëpunëtor i tij, një tjetër në arrati (EMRAT)

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në zonën e Freskut në Tiranë, ku Abazi u qëllua më armë zjarri teksa ishte brenda në makinë

3 Gusht 2025, 12:08 Nga r.ll
Plagosja e Juglen Abazit në Tiranë, identifikohet dhe shpallet në
vendngjarja dhe mjeti i 28-vjeçarit

TIRANË- Autori i plagosjes së Juglen Abazit është identifikuar dhe shpallur në kërkim. Klevis Caka (Lusha), 26 vjeç, është në kërkim për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Ndërkohë lidhur me ngjarjen, është arrestuar një nga bashkëpunëtorët e Cakës dhe një tjetër është po ashtu në kërkim. Në pranga është vënë 27-vjeçari, Xhonatan Qerimi, për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”. Ndërsa në kërkim është shpallur Andi Gurra, 26 vjeç, për të njëjtën vepër penale.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në zonën e Freskut në Tiranë, ku Abazi u qëllua më armë zjarri teksa ishte brenda në makinë. Motivi i plagosjes ende nuk dihet, ndërsa Juglen Abazi u vetëparaqit dje në spital për ndihmë mjekësore.

NJOFTIMI I POLICISË: 

Tiranë

Veprime të thelluara hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme.

Identifkohet dhe shpallet në kërkim autori i plagosjes me armë zjarri të 28-vjeçarit, ndodhur dje në mbrëmje në zonën e Freskut.

Arrestohet njëri prej bashkëpunëtorëve të tij, shpallet në kërkim tjetri.

Në vijim të veprimeve intensive hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në rrugën “Thoma Filipeu”, në Fresk, ku mbeti i plagosur me armë zjarri 28-vjeçari J. A., specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda kundër Jetës dhe Pronës kanë identifikuar autorin e dyshuar dhe dy bashkëpunëtorët e tij.

Në vijim të veprimeve proceduriale:

-U shpall në kërkim autori i dyshuar i plagosjes, shtetasi K. C. (L.), 26 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;

-U arrestua në flagrancë shtetasi Xh. Q., 27 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”;

-U shpall në kërkim shtetasi A. G., 26 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”.

Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasit Xh. Q. dhe A. G. kanë ndihmuar autorin e dyshuar të largohet nga vendngjarja.

Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme

xhonatan qerimi klevis caka andi gurra plagosje ne tirane juglen abazi

Sondazh

Poll