Aktualitet

Gjykata Evropiane e Drejtësisë vendos kundër Italisë për skemën e kampeve të emigrantëve në Shqipëri: Kujdes me përcaktimin e "vendeve të sigurta"

Ky vendim përbën atë që mund të quhet si një goditje të re ndaj një pike kyçe të politikës së qeverisë italiane për emigracionin.

1 Gusht 2025, 11:22 Nga N.F
Gjykata Evropiane e Drejtësisë vendos kundër Italisë
Foto

TIRANË- Gjykata Evropiane e Drejtësisë, me anë të një vendimi, vuri në pikëpyetje sot legjitimitetin e listës së "vendeve të sigurta" që Italia përdor për të dërguar emigrantë në Shqipëri dhe për të përshpejtuar kërkesat e tyre për azil. Ky vendim përbën atë që mund të quhet si një goditje të re ndaj një pike kyçe të politikës së qeverisë italiane për emigracionin.

Mediat e huaja shkruajnë se zyra e kryeministres italiane Giorgia Meloni, në një deklaratë, e quajti vendimin e gjykatës "të habitshëm" dhe tha se ai "dobëson politikat për të luftuar emigracionin masiv të paligjshëm dhe për të mbrojtur kufijtë kombëtarë".

Dario Belluccio, një avokat që përfaqësoi një nga azilkërkuesit nga Bangladeshi në çështjen specifike të ngritur para Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, tha se skema e kampeve të emigrantëve nga Shqipëria ishte mbyllur në mënyrë efektive.

“Nuk do të jetë e mundur të vazhdohet me atë që qeveria italiane kishte parashikuar para këtij vendimi… Teknikisht, më duket se qasja e qeverisë është çmontuar plotësisht”, i tha ai Reuters.

Meloni e kishte paraqitur zhvendosjen e azilkërkuesve në kampe të ndërtuara në Shqipëri si një gur themeli të qasjes së saj të ashpër ndaj emigracionit, dhe vende të tjera evropiane e kishin parë këtë ide si një model të mundshëm.

Megjithatë, skema hasi kundërshtim ligjor pothuajse menjëherë sapo u lançua vitin e kaluar, me gjykatat italiane që urdhëruan kthimin në Itali të migrantëve të kapur në det dhe të çuar në Shqipëri, duke përmendur probleme me ligjin e Bashkimit Evropian.

Sipas vendimit Italia është e autorizuar të përshpejtojë refuzimet e azilit për shtetasit që vijnë nga vendet në listë “të sigurt". Gjithashtu GJED tha se Italia është e lirë të vendosë se cilat vende janë “të sigurta”, por paralajmëroi se një përcaktim i tillë duhet të përmbushë standarde të rrepta ligjore dhe t’u lejojë aplikantëve dhe gjykatave qasje dhe kundërshtim të provave mbështetëse.

Në deklaratën e saj, Gjykata Evropiane e Drejtësisë tha se një gjykatë e Romës iu ishte drejtuar gjyqtarëve të BE-së duke përmendur pamundësinë e aksesit në informacion të tillë dhe duke e penguar kështu atë të “sfidonte dhe shqyrtonte ligjshmërinë e një prezumimi të tillë sigurie”. Gjykata Evropiane e Drejtësisë tha gjithashtu se një vend mund të mos klasifikohet si “i sigurt” nëse nuk ofron mbrojtje të mjaftueshme për të gjithë popullsinë e tij, duke rënë dakord në mënyrë efektive me gjyqtarët italianë që e kishin ngritur këtë çështje vitin e kaluar.

Çështja e ngritur para GJED-së përfshinte dy persona nga Bangladeshi të cilët u shpëtuan në det nga autoritetet italiane dhe u sollën në Shqipëri, ku kërkesat e tyre për azil u refuzuan bazuar në klasifikimin e Bangladeshit nga Italia si një vend “i sigurt”. 

gjykata evropiane e drejtësisë

Sondazh

Poll