Politike

Masat për parandalimin e zjarreve, Vengu: Do të ngremë 4 qendra rajonale ku kemi rrezikshmërinë më të lartë

Ai tha se dy prej tyre do të jenë në Bushat dhe Finiq, ndërsa pritet të përcaktohen edhe dy të tjera, që do të mbulojnë verilindjen dhe juglindjen e vendit.

31 Korrik 2025, 16:24 Nga M.B
Masat për parandalimin e zjarreve, Vengu: Do të ngremë 4 qendra
Pirro Vengu

TIRANA- Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, tha sot se në kuadër të parandalimit, por dhe mirëmenaxhimit të situatës së zjarreve në vend, po investohet në ngritjen e katër qendrave rajonale të dedikuara shuarjes së zjarreve në zonat rurale, pyjore dhe malore. Ai tha se dy prej tyre do të jenë në Bushat dhe Finiq, ndërsa pritet të përcaktohen edhe dy të tjera, që do të mbulojnë verilindjen dhe juglindjen e vendit.

Vengu shtoi se këto qendra do të kenë pista për uljen e helikopterëve dhe hapësira për furnizimin e tyre, duke shmangur humbjen e kohës gjatë operacioneve. Gjithashtu ai tha se po investohet në rinovimin e flotës tokësore zjarrfikëse si dhe në rritjen e kapaciteteve ajrore dhe njerëzore.

“Forcojmë zinxhirin e reagimit të Emergjencave Civile, jemi duke investuar në 4 qendra rajonale duke i dhënë mundësi bashkive që të përqendrohen në element zjarrfikës urban dhe këto qendra të fokusohen në zonat rurale, pyjore, malore ku kemi edhe rrezikshmërinë më të lartë. Kemi identifikuar dy zona, Bushatin dhe Finiqin. Bushati do të mbuloj të gjithë zonën e nënShkodrës, Shëngjinin, Velipojën, Lezhën pra janë disa bashki dhe investimi ka filluar.

Së bashku me rinovimin e një flote të dedikuar për këto qendra rajonale, të prodhuar nga kompania shtetërore të prodhimeve ushtarake që do të shërbejë edhe për rritjen e flotës tokësore. Do të jenë qendra rajonale ku do të ulen helikopterët dhe do të furnizohen që të mos kemi më këto vajtje-ardhjet dhe humbjet e kohës. Do kemi edhe pikën në jug që mbulon Gjirokastër Vlorë dhe Delvinën dhe jemi duke caktuar dhe dy ish reparte të tjera që të kemi në mbulim të verilindjes dhe juglindjes.

Do investojmë në rinovimin e flotës zjarrfikëse në të gjithë vendin, dhe në kapacitete ajrore si dhe kapaciteteve njerëzore. Zjarri në Llogara dhe Dukati u parandalua se kishe një monitorim me kamera termike 24 orë, dhe këtë gjë duam ta shtrijmë këtë rrejt kamerash në të gjitha pikat me rrezikshmëri në lartë edhe në Lurë dhe të gjithë parqet kombëtare”, tha Vengu.

 

pirro vengu

Sondazh

Poll