Politike

Për të dytën herë brenda ditës, Kuvendi i Kosovës po mblidhet për një përpjekje të fundit për konstituim

Në vendimin e saj më 26 qershor, Kushtetuesja urdhëroi që brenda afatit prej 30 ditësh të përfundojë procesi i konstituimit, përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendi. Ky afat përfundon sot në mesnatë.

26 Korrik 2025, 22:06 Nga r.ll
Për të dytën herë brenda ditës, Kuvendi i Kosovës
kuvendi

KOSOVË- Deputetët e zgjedhur të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës po mblidhen për të dytën herë brenda ditës në tentim për ta konstituuar Kuvendin, përpara se të mbyllet afati 30-ditor i vendosur nga Gjykata Kushtetuese.

Në vendimin e saj më 26 qershor, Kushtetuesja urdhëroi që brenda afatit prej 30 ditësh të përfundojë procesi i konstituimit, përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendi. Ky afat përfundon sot në mesnatë.

Armend Zemaj, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se nuk ka shpresa që as në seancën e orës 22:00 mund të bëhet konsituimi i Kuvendit.

Por, ai tha se ka dëgjuar se ka presion ndaj deputetëve të grupeve minoritare.

Lidhur me këtë, deputeti nga komunititeti ashkali, Arton Asllani, tha se atij nuk i është bërë presion nga askush dhe se është i gatshëm të votojë cilindo kandidat që propozohet për postin e kryeparlamentarit.

Lëvizjes Vetëendosje do t’i mjaftonin votat e tre deputetëve të Nismës Socialdemokrateve dhe deputetëve të minoriteve, përveç atyre të Listës Serbe, për t’i siguruar 61 votat e nevojshme.

Pak para seancës, zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka, tha përmes një postimi në Facebook se atyre "u duhen votat, por jo me çdo kusht dhe jo nga e me bindjen e ndokujt që i duket se ‘i erdhi dita’".

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj - në votat e së cilit ka llogaritur më së shumti Lëvizja Vetëvendosje - tha, pas ndërprerjes së seancës të orës 14:00, se "Nisma do ta presë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese".

Pas mesnatës, deputetët nuk do të mund të marrin asnjë vendim apo veprim në drejtim të konstituimit të Kuvendit.

Kjo pasi që një vendim i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar në orët e vona të 24 korrikut, vendosi ex officio masë të përkohshme nga 27 korriku deri më 8 gusht.

Organizatat joqeveritare në Kosovë, pak orë para nisjes së seancës, u bënë thirrje deputetëve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi të fundit për ta konstituuar Kuvendin.

"Dalja nga kjo krizë është ende e mundur, por kërkon vullnet dhe lidership politik. Partitë politike duhet të intensifikojnë përpjekjet për arritjen e konsensusit përmes kompromisit dhe bashkëpunimit", thuhet në reagimin e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI).

Në arsyetim, Gjykata tha se nëse nuk do të vendosej masa e përkohshme ex officio ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas datës 26 korrik 2025, çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë pas kësaj date deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me kërkesat "mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyç në Republikën e Kosovës".

SHIKONI EDHE:Kushtetuesja ndalon mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit pas afatit 30-ditor
Gjykata e mbështeti vendosjen e masës në atë se për çështjen e konstituimit ka dy lëndë në shqyrtim, atë të paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Që nga fillimi më 15 prill e deri të premten, Kuvendi është mbledhur në 52 përpjekje për ta zgjedhur kryetarin, pa arritur shumicën prej së paku 61 votave.

Lëvizja Vetëvendosje – fituese e zgjedhjeve – e ka të drejtën ekskluzive të propozimit të kandidatit për kryeparlamentar, por e zgjedhura e kësaj partie, Albulena Haxhiu, konsiderohet e papranueshme për disa grupe politike.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e shohin atë si figurë përçarëse, teksa Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se s’ka votë për asnjë kandidat të LVV-së.

LVV-ja argumenton se është obligim i të gjithë deputetëve të konstituojnë Kuvendin.

PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe po ashtu po kundërshtojnë ndryshimin e votimit nga i hapur në të fshehtë. Partitë shqiptare kanë argumentuar se në aktgjykim Kushtetuesja ka thënë se votimi i fshehtë është jokushtetues, por mendim tjetër ka shprehur LVV-ja.

Me afrimin e mandatit 30-ditor, kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj – partia e të cilit i ka tre deputetë – dhe kreu i LVV-së, njëherësh kryeministri në detyrë, Albin Kurti, janë takuar javën e kaluar në përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje. Por, deri më tani nuk kanë njoftuar për arritjen e ndonjë marrëveshjeje për konstituimin e Kuvendit, dhe më pas formimin e Qeverisë.

Përveç duke argumentuar se kompromisi nuk duket se është afër, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 22 korrik iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me dy kërkesa: që të sqaronte se cilat janë pasojat juridike nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik dhe që Kushtetuesja të vendosë masë të përkohshme ndaj afatit 30-ditor, deri në nxjerrjen e një aktvendimi sa i përket kërkesës për pasojat juridike.

Deputetët, përveç zgjedhjes së kryeparlamentarit të ri, duhet të zgjedhin edhe pesë nënkryetarë, për të përmbyllur procesin e konstituimit të Kuvendit.

Që nga 15 prilli – kur nisi seanca konstituive – organizatat joqeveritare u kanë bërë vazhdimisht thirrje deputetëve që t'i formojnë institucionet e reja.

Këtyre thirrjeve iu bashkuan edhe diplomatë të huaj të premten, si ambasadorët e Gjermanisë, Bashkimit Evropian dhe të tjerë që ishin të pranishëm në seancën e 52-të konstituive./REL

kuvendi i kosoves

Sondazh

Poll