Aktualitet

Ekspozita "WeBalkans" çel dyert në Shtëpinë e Evropës në Tiranë, fotografitë e të rinjve nga i gjithë Ballkani Perëndimor të ekspozuara për publikun

I pranishëm në çeljen e ekspozitës me fotografi të realizuara nga të rinj të talentuar nga i gjithë Ballkani Perëndimor, ishte dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në vendin tonë, Silvio Gonzato.

22 Korrik 2025, 19:32 Nga DOSJA
Ekspozita "WeBalkans" çel dyert në Shtëpinë e
pamje nga celja e ekspozites

TIRANË- Ekspozita e fotografive "Gati. Qëndro. Evropa jonë!" është çelur ditën e sotme në Shtëpinë e Evropës në Tiranë. I pranishëm në çeljen e ekspozitës me fotografi të realizuara nga të rinj të talentuar nga i gjithë Ballkani Perëndimor, ishte dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në vendin tonë, Silvio Gonzato. Ky i fundit u shpreh gjatë fjalës së tij se fotot tregojnë zëra e të rinjve nga i gjithë rajoni që përmes kamerës së aparatit tregojnë si e shohin Europën dhe si i përfytyrojnë vlerat e saj.

“Së pari, ju uroj mirëseardhjen në shtëpinë e Europës, pavarësisht klimës. Natyrisht që sot nuk po shohim thjesht disa foto, por po dëgjojmë zëra, zëra të të rinjve nga i gjithë rajoni, që kanë përdorur kamerën e tyre, aparatin, për të na treguar si e shohin Evropën, si e përjetojnë vlerat e saj dhe cili është përfytyrimi që ata kanë për vlerat e kësaj Evrope. Në fakt, është një këndvështrim që rezonon me mënyrën sesi ne duam të bëjmë këto gjëra. Në javën e Evropës që organizuam, në fakt ishin dy javë, ajo çfarë ne bëmë ishte që të mos e thonim ne mesazhin por të ishin njerëzit këtu, artistët, që ndërvepruan me aftësitë e tyre artistike dhe intelektuale, në mënyrë që të përcillnim mënyrën sesi e shihnin. Është mënyra më efektive për të përçuar mesazhin përmes këtyre njerëzvve. Nxitëm një hapësirë për dialog, për të shprehur aspiratat dhe ndoshta ndonjë kritikë për ndërveprimin midis vendit dhe BE, nëse ka ndonjë të tillë.", tha Gonzato. 

Në tjetër e pranishmë në hapjen e ekspozitës ishte dhe Klodiana Shala, kampione evropiane në atletikë dhe e para grua që përfaqësoi Shqipërinë në Lojërat Olimpike “Athinë 2004”. Ndërkohë, Arian Rexhepi, Menaxher i Komunikimeve Digjitale dhe Mediave për "WeBalkans", ishte dhe ai që prezantoi fushatën “Gati. Qëndro. Evropa jonë”, për të cilën tha se tenton ta sjellë BE-në më afër qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.

“Për ata që nuk e dinë, We Balkans, është një iniciativë e komunikimit prej Komisionit Evropian, që tenton që në mënyrë më gjithëpërfshirëse ta sjellë BE më afër qytetarëve të Ballkanit Perëndimor. Përsa i përket ekspozitës së fotografisë, fushata ka nisur në prill. Diku në muajin maj kemi hapur konkursin. Konkursi ka qenë i suksesshëm, kemi patur rreth 200 aplikime prej të cilave 18 janë selektuar prej një jurie profesionale.”, u shpreh Rexhepi.

Armando Babani, fotoreporter me përvojë dhe anëtar i jurisë së konkursit, ndau përvojën e përzgjedhjes së 18 fotografive më të spikatura nga mbi 200 aplikime të mbërritura nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Kledi Memo, anëtar i Rrjetit të Ambasadorëve të Rinj Evropianë, gjatë fjalës së tij në aktivitet theksoi rëndësinë e përfaqësimit të brezit të ri në procesin e afrimit të rajonit me Bashkimin Evropian. Kjo ekspozitë do të jetë e hapur për disa ditë në vijim. Ekspozita organizohet në kuadër të fushatës “We Balkans” në krejt vendet e Ballkanit Perëndimor që synon të përcoj mesazhin e bashkëpunimit dhe rrugës evropiane për të gjitha këto shtete.

webalkans silvio gonzato klodiana shala

Sondazh

Poll