Aktualitet

Takim me OSHC, Metani: Raportet e monitorimit të Shoqërisë Civile ndaj ILD-së janë tregues se jemi të monitorueshëm!

Metani u shpreh se komunikimi me organizatat e shoqërisë civile i konsideron tejet të rëndësishëm, pasi janë aktorë të jashtëm me peshë për shkak se përmes aktiviteteve e projekteve janë njohës sesi funksionon Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

22 Korrik 2025, 16:17 Nga N.F
Takim me OSHC, Metani: Raportet e monitorimit të Shoqërisë Civile
Foto

TIRANË- Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani ka zhvilluar një takim pune me Organizatat e Shoqërisë Civile (OSHC). Gjatë këtij takimi janë diskutuar mbi pikat e forta e të dobëta të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe prioritetet për të ardhmen, bazuar në raportin e veprimtarisë së institucionit për vitin 2024 dhe krahasimi dinamik i punës në 5 vite funksionim.

Në takim morën pjesë Afrim Krasniqi nga Instituti i Studimeve Politike (ISP), Aranita Brahaj nga  Instituti Shqiptar i Shkencës/Open Data Albania, Arjan Dyrmishi nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, Rovena Sulstarova nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare, Emilia Llambro nga Qendra për Zhvillim dhe Integrim Europian (CEDI) dhe Teisa Kurti nga Qendra Altri. Gjithashtu ishin ftuar edhe partnerë ndërkombëtarë më të cilët ILD bashkëpunon prej vitesh, nga Delegacioni i Bashkimit Evropian, OPDAT, Prezenca e OSBE, Ambasada e Mbretërisë së Holandës dhe misioni EU4 Justice, që mbështeti këtë aktivitet.

Për një komunikim të hapur dhe shterues me OSHC-të dhe partnerët ndërkombëtarë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Metani shoqërohej nga trupa e Inspektorëve të ILD-së. Metani u shpreh se komunikimi me organizatat e shoqërisë civile i konsideron tejet të rëndësishëm, pasi janë aktorë të jashtëm me peshë për shkak se përmes aktiviteteve e projekteve janë njohës sesi funksionon Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Metani bëri një paraqitje grafike të dinamikës së punës së ILD-së gjatë vitit 2024, duke u ndalur tek funksionet kryesore të institucionit, lidhur me administrimin e trajtimin e ankesave, hetimin e procedimin disiplinor dhe inspektimet. Më tej Inspektori i Lartë i Drejtësisë paraqiti ecurinë e veprimtarisë së ILD-së ndër vite, me të dhëna konkrete, që prej nisjes së funksionimit, në vitin 2020 dhe synimet për rritjen e efikasitetit të punës, në funksion të transparencës e forcimit të besimit të publikut tek ILD dhe institucionet e drejtësisë.

Metani iu përgjigj interesimit të pjesëmarrësve për aspekte të punës ndër vite të ILD-së, por edhe për zhvillime jashtë institucionit mbi rolin dhe pritshmëritë publike. Duke vlerësuar si shumë të çmuara kontributet e sugjerimet që u përcollën në takim nga Organizatat e Shoqërisë Civile, Inspektori i Lartë i Drejtësisë vlerësoi si të nevojshme edhe raportet monitoruese që bëhen për ILD-në, së fundmi nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

“Raportet e monitorimit të Shoqërisë Civile ndaj ILD-së janë tregues se ky institucion është i monitorueshëm, pavarësisht nëse biem apo jo dakord me gjetjet e përcjella, sepse në fund të fundit kështu funksionon demokracia. E rëndësishme është që puna e një institucioni monitorohet, analizohet e vlerësohet dhe ky është një mekanizëm demokratik për t’u ushqyer e vlerësuar.” tha ai.

Në mbyllje të takimit pjesëmarrësit bashkëndanë qëndrimin se kontaktet profesionale i shërbejnë të kuptuarit të dinamikave të punës, jo vetëm të institucionit, por edhe të nevojave e prioriteteve për t’u përcaktuar e zbatuar.

metani ild

Sondazh

Poll