Aktualitet

Situata e zjarreve deri në orën 14:00, Ministria e Mbrojtjes: Janë raportuar 13 vatra, 9 janë aktive!

Flakët janë fikur në  fshatin Guras, në fshatin Lapardha dhe në fshatin Buz Madh. Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, po zhvillohet në dy vatra të shkëputura nga njëra-tjetra, një poshtë Liqenit të Zi dhe një mbi fshatin Gurë-Lurë.

22 Korrik 2025, 15:16 Nga N.F
Situata e zjarreve deri në orën 14:00, Ministria e Mbrojtjes:
Foto

TIRANË- Ministria e Mbrojtjes ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me situatën e zjarreve në vend deri në orën 14:00. Mininistria bën me dije se janë raportuar 13 zjarre, nga të cilat 3 vatra janë shuar. Sipas njoftimit 9 vatra zjarri janë aktive dhe 1 në monitorim.

Flakët janë fikur në  fshatin Guras, në fshatin Lapardha dhe në fshatin Buz Madh. Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, po zhvillohet në dy vatra të shkëputura nga njëra-tjetra, një poshtë Liqenit të Zi dhe një mbi fshatin Gurë-Lurë.

Në fshatin Strikçan qshtë në monitorim zjarri në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe bar i thatë. Në fshatin Zall Gjoçaj ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në vendin e quajtur “Përroi i Zi” një sipërfaqe pyjore me pisha dhe ah. Ditën e sotme në terren janë angazhuar forcat operacionale dhe 30 efektivë nga FA. Në ndihmë për shuarjen e zjarrit po operon 1 avion Canadair nga shteti Italian.

Në Sotiran, në vendin e quajtur “Qafa e Shëngjergjit”, mbi fshatin Dukat ka vijuar puna e zjarrit të rënë më datë 06 korrik. Zjarri është shumë intensiv. Digjen shkurre dhe fier poshtë pyllit me pishë. Flakët të ndihmuara nga era ditën e sotme përfshinë edhe kurorë të pishës duke e bërë problematike gjendjen. Ditën e sotme vazhdon operacioni me forcat operacionale, të ndihmuar me 30 forca ushtarake, 1 helikopter të FA-së dhe 2 avionë Canadair.

Në fshatin Shmil në kufi me fshatin Gurakuq zjarri ka rënë në pyll gështenje dhe ka përmasa të konsiderueshme. Puna po vijon në një terren të vështirë. Në zonën e Shkopetit ka vazhduar aktiv zjarri dhe është përhapur në territorin e bashkive Kurbin, Mat dhe Mirditë. Në operacionin për fikjen e zjarrit janë angazhuar forca ushtarake 26 efektivë, 4 mjete dhe 1 helikopter si dhe forca bashkiake nga MZSH Kurbin me 1 automjet zjarrfikës dhe 50 efektivë, gjithashtu MZSH Mirditë me 11 efektivë.

Ndërhyrja ajrore ka shmangur përhapjen drejt banesave dhe bizneseve në Shkopet. Terreni është i vështirë dhe i paarritshëm për mjete. Situata po monitorohet nga autoritetet dhe strukturat përkatëse. Nuk ka rrezik për objektet e banimit.

Në fshatin Vernik, njësia administrative Qendër Bilisht, bashkia Devoll, zjarri vijon të jetë aktiv, por në drejtim të pikës kufitare Kapshticë zjarri u vu nën kontroll, po vijon puna në krahun e fshatit, pasi ndihmuar nga era zjarri po përhapet në bimësi. Në fshatin Dishnicë, njësia administrative Bulgarec, bashkia Korçë. Në fshatin Kosinë vijon puna në terren të vështirë për shuarjen e zjarrit.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 21 automjete zjarrfikëse për momentin dhe 519 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së sotme marrin pjesë 190 forca nga FA me 19 mjete dhe 1 Helikopter, 2 avionë Canadair nga shteti Grek dhe 1 avionë Canadair nga shteti Italian.

ministria e mbrojtjes zjarret ne vend

Sondazh

Poll