Politike

Hapësirat publike/ Rama shpërndan videon e qytetarit që lyen varkën në Tiranë: Do të kemi një pako speciale ligjore për këtë soj dhunuesish

Konkretisht Rama ka shpërndarë në rrjetet sociale një video ku një qytetar është duke lyer me bojë një varkë në Tiranë.

22 Korrik 2025, 09:58 Nga M.B
Hapësirat publike/ Rama shpërndan videon e qytetarit që lyen
Edi Rama

TIRANA- Kryeministri Edi Rama, ka publikuar në rrjetet sociale sot disa pamje nga Tirana ku tregon biznese që kanë zënë hapësirat publike për ushtrimin e aktivitetit. Konkretisht Rama ka shpërndarë në rrjetet sociale një video ku një qytetar është duke lyer me bojë një varkë në Tiranë.

Ai thotë se kjo nuk mund të jetë kurrsesi një skenë e zakonshme nga jeta e një lagjeje në qytetet e Shqipërisë 2030 në BE, e jo më një skenë e përditshme as 1 kilometër nga bulevardi i Tiranës. Sipas tij, kushdo që e dhunon hapësirën e përbashkët publike duhet të ndëshkohet penalisht. Kryeministri ka shtuar se shumë shpejt do të ketë një pako speciale ligjore për këtë kategori.

POSTIMI:

Kjo nuk mund të jetë kurrësesi një skenë e zakonshme nga jeta e një lagjeje në qytetet e Shqipërisë 2030 në BE, e jo më një skenë e përditshme as 1 kilometër nga bulevardi i Tiranës. Dhe këtu nuk është çështja të shkojë ky e të shkojë ai për t’i larguar këta dhunues të jetës komunitare duke i gjobitur.

Këtu duhet vënë njëherë e mirë me ligj e me zakon dhe kushdo që e dhunon hapësirën e përbashkët publike me një akt zaptimi, duke bllokuar, ndërtuar, ndotur apo bërë biznes në kurriz të komunitetit, duhet  të ndëshkohet penalisht. Shumë shpejt do të kemi një pako speciale ligjore për këtë soj dhunuesish.

Çështja e hapësirave publike

Në ditët e para të muajit korrik kryeministri Edi Rama bërë një vizitë të befasishme në bashkinë e Vlorës duke kërkuar shkarkimin e drejtorëve në këtë bashki për moskompetencë e që lidhej kryesisht me atë që e cilësoi më vonë si zaptimin e hapësirave publike.

Gjatë vizitës Rama u ka bërë thirrje deputetëve në largim e atyre të zgjedhur dhe drejtuesve vendorë të dalin në terren dhe t'ju japin zgjidhjeve problemeve të qytetarëve, duke i takuar nga afër. Gjithashtu ai iu ka dhënë ultimatum që brenda dy javëve të kenë gati raportin me punën e bërë.

Ndërkohë më 8 korrik Rama ka kërkuar dorëheqjen e drejtorëve të bashkisë së Fierit dhe Durrësit në institucionet që sipas tij nuk kanë përmbushur detyrën. Gjithashtu raportohet se ka shprehur kritika të ashpra për menaxhimin e hapësirave publike të zaptuara.

Po në këto ditë të para të korrikut 2025 nisi dhe një aksion në fshatin turistik Theth në veri të vendit për prishjen e ndërtesave pa leje. Në këtë rast Rama akuzon prokuroren Elsa Gjeli se refuzoi të hapte një çështje penale kundër një biznesmeni të kallëzuar nga Policia e Shtetit për ndërtimin e një fshati të tërë turistik pa asnjë leje.

Ai theksoi se lugina e Thethit do të pastrohet nga betoni dhe do të kthehet në gjendjen e mëparshme. Gjithashtu Rama ka deklaruar se i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë të paraqesë një kërkesë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për shkarkimin e saj.

edi rama

Sondazh

Poll