Politike

Prokurorja Elsa Gjeli nuk nisi hetimet për ndërtimet pa leje në Theth, Manja: Nxitim dhe paaftësi profesionale

Ai gjithashtu theksoi se nuk janë kundër që prokuroria e Shkodrës dhe çdo prokurori ta ngrejë zërin kur cenohet pavarësia e ushtrimit të funksionit të prokurorit, por sipas tij ka dhe detyrime. 

11 Korrik 2025, 15:22 Nga E. D
Prokurorja Elsa Gjeli nuk nisi hetimet për ndërtimet pa leje në
Ulsi Manja

TIRANË- Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, përmes një deklarate kritikoi ashpër vendimin e prokurores Elsa Gjeli për të mos ndjekur penalisht çështjen e ndërtimit të një parku turistik pa leje në Theth. Manja u shpreh se shqipëria 2030 nuk ndërtohet duke toleruar paligjshmërinë dhe me justifikime. 

Ai gjithashtu theksoi se nuk janë kundër që prokuroria e Shkodrës dhe çdo prokurori ta ngrejë zërin kur cenohet pavarësia e ushtrimit të funksionit të prokurorit, por sipas tij ka dhe detyrime. Manja gjithashtu i bëri thirrje KLP të veprojnë pa vonesë dhe të hetojnë rastin në përputhje me përgjegjësitë që u ngarkon ligji.

"Ka të bëjë me ndërtimin pa leje, ka patur dhe raste të tjera por nuk kanë qenë kaq sensitive. Shqipëria 2030 nuk ndërtohet duke toleruar paligjshmërinë. Me justifikime teknike me artifica ligjore për t’iu shmangur detyrave që përcakton kushtetuta dhe ligji. Drejtësia që kemi premtuar ndërtohet jo vetëm me institucione të pavarura.

Nuk jemi kundër që prokuroria e Shkodrës dhe çdo prokurori ta ngrejë zërin kur cenohet pavarësia e ushtrimit të funksionit të prokurorit. Por ka dhe detyrime që të thellohet kur ka një çështje me ndjeshmëri publike për të parë nëse është zbatuar ligji dhe kushtetuta. Prokuroria si institucion përveçse ushtron funksionet duhet të japë llogari para qytetarëve të Shkodrës për mbrojtjen e territorit.

83 mandatet që shqiptarët na dhanë janë më shumë se një votëbesim. Janë një barrë për të reaguar shpejt ,qartë me vendosmëri për çdo gjë që nuk shkon dhe me ndonjë devijim në institucionet tona. Nuk na heq të drejtën që të njëjtën llogari dhënie ta kërkojmë edhe nga sistemi i drejtësisë, drejtësia europiane nuk mund të jetë drejtësi selektive, nuk mund të jetë në heshtje përballë minimit të natyrës.

I bëj thirrje KLP të veprojnë pa vonesë, ta hetojnë rastin në përputhje me përgjegjësitë që u ngarkon ligji. Më shumë se një rast i mosfillimit të hetimit, organet kanë përgjegjësi të garantojnë integritetit te drejtësia. Raste si ky minojnë reformën në drejtësi, besimin e publikut. Është cenim i shtetit të së drejtës. Unë nuk e di si do jetë përfundimi i hetimit, por kam besim te institucionet e reja të drejtësisë, do e hetojnë deri në fund, i cili krijon precedent të rrezikshëm dhe i hap rrugë gjendjes së paligjshmërisë në territorit," tha Manja. 

Përplasja Rama-Prokuroria e Shkodrës për ndërtimet në Theth

Ndërtimet në fshatin Theth ishin dhe arsyeja e përplasjes mes kryeministrit Edi Rama dhe Prokurorisë së Shkodrës. Këto ndërtime, Rama është shprehur se janë ndërtuar pa leje dhe IKMT do ti heqë nga territori. Lidhur me këtë çështje, Rama ka sulmuar prokuroren Elsa Gjeli. Sipas tij, kjo e fundit ka refuzuar të hapë çështjen dhe ka injoruar denoncimin e Policisë së Shtetit lidhur me këtë ndërtim. Në postimin e tij në Facebook për rastin pak orë më parë, kreu i qeverisë shprehej se është lejuar një ndërtim në zemër të Thethit në shkelje totale të ligjit, por sipas tij, Prokurorja Gjeli ka dalë me vendim se nuk ka vepër penale. Rama theksoi se këtë çështje do ta përciellë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ndërkohë që shtoi se kjo prokurore është e padenjë për tu paguar si e tillë. 

Prekë Kodra në kërkim nga SPAK, pronari i kabinave

Ndërtimet në fjalë janë disa kabina pushimi, të cilat janë në pronësi të shtetasit të identifikuar si Prekë Kodra. Ky i fundit nuk është një emër i panjohur për shkak së është një përson i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të hetimeve për dosjen "Metamorfoza". Ai akuzohet nga SPAK për një disa ngjarje kriminale. Gjithashtu bëhet me dije se Kodra është personi që katër vite më parë kishte planifikuar të vriste me snajper kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe dy politikanë të tjerë të njohur të Kosovës. Në fshatin turistik në veri të vendit, Prekë Kodra kishte ngritur "Vilat e Shqiponjave në Theth", 10 kabina të ndërtuara mbi struktura betoni në një zonë që është e mbrojtur nga shteti./Dosja.al

ulsi manja

Sondazh

Poll