Politike

Konferenca në Itali, Rama: Ukraina nuk është as agresorja dhe as shkaktarja e kësaj lufte që zhvillohet në dyert e Europës

Rama u shpreh se nuk duhet lejuar askush jashtë kufijve të Europës t'i tregojë komunitetit evropian, se çfarë është paqja dhe si tingëllon paqja.

10 Korrik 2025, 15:36 Nga r.ll
Konferenca në Itali, Rama: Ukraina nuk është as agresorja dhe as
edi rama

ITALI- Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij në Konferencën për Rimëkëmbjen e Ukrainës që po zhvillohet në Itali. Rama është shprehur se Shqipëria ndonësr një vend i vogël dhë me pak burime, do të jetë gjithmonë krah Italisë dhe partnerëve evropianë sa herë që Ukraina të ketë nevojë. 

Rama u shpreh se nuk duhet lejuar askush jashtë kufijve të Europës t'i tregojë komunitetit evropian, se çfarë është paqja dhe si tingëllon paqja. Ai shtoi më tej Ukraina nuk është as agresori dhe as shkaktari i asaj lufte që zhvillohet ditë e natë në dyert e Europës.

"Premtova që do të flas në mënyrë të pazakontë shkurt. Motra ime e dashur Giorgia, i kujtoi të gjithëve sot që të gjitha rrugët të çojnë në Romë! I dashur Antonio, ka qenë një përvojë e shkëlqyer udhëkryqi gëzimplotë, kaotik dhe i paqtë për t’i treguar të gjithëve se nuk ka një vend më të sigurt se Italia ku të gjithë divizionet e sigurisë dhe të protokollit janë të pakuptimta. Dhe jam i sigurt që edhe Volodymyr e ka shijuar morinë e humanizmit në Nuvola ku të gjithë truprojat e tij, për herë të parë që prej luftës janë ndjerë të padobishëm.

Çfarë të them, Shqipëria është një vend i vogël, me burime modeste. Ajo nuk ka fuqi për të ndryshuar shumë në fushë-betejë, por kemi qenë dhe do të jemi së bashku me Italinë dhe me miqtë e partnerët europianë kudo e kurdo që Ukraina do të ketë nevojë për ne të jemi. Duke qenë se na u tha të flisnim vetëm 3 minuta dhe unë dua të udhëheq në fund të fundit përmes shembullit, dua vetëm të them që kushdo foli përpara meje, e kushdo do të flasë pas meje, ka thënë e do të thotë mjaftueshëm që unë të mos mund të shtoj diçka me interes që ju të shpenzoni kohën.

Megjithatë dua të ndaj me ju në këtë qytet që jo shumë kohë më parë i dha lamtumirën një njeriu të madh paqeje, që quhej Papa Françesku, që ndërkohë që mbështesim Ukrainën të luftojë e po kështu të rindërtohet, ne duhet të bëjmë maksimumin që të mos e lëmë paqen në rreshtin e dytë të mendimeve tona. Nuk duhet ta lëmë fjalën “paqe” të ndajë më tej shoqëritë tona demokratike e të tjetërsojë pjesë të tjera të shoqërisë sonë e të mbjellë mosmarrëveshje midis shoqërive tona.

Nuk duhet të lëmë askund po kështu, jashtë kufijve të Europës demokratike të na japë leksione ne, Komunitetit Europian se çfarë është paqja e lufta e si tingëllon kjo paqe. Ne nuk jemi komunitet luftënxitës dhe Ukraina nuk është agresori e as autori i kësaj lufte të përgjakshme në dyert e Europës, ditë e natë. Askush nuk ka një formulë magjike sigurisht, e unë aq më pak. Të flasësh për paqen nuk e ndal luftën e as nuk e bën Vladimir Putinin një paqedashës.

Sidoqoftë, dua ta përmbyll duke ndarë me ju bindjen se ndërkohë që po bëjmë të gjitha gjërat e duhura për të mos ta lënë në baltë Ukrainën, ne nuk do të jemi të fortë mjaftueshëm për t’i dhënë fund kësaj lufte, për të shpëtuar Ukrainën në qoftë se nuk kemi plan tonin të fuqishëm, kurajoz e tërheqës për paqen. Paqja është e vetmja e ardhme për të cilën mund të flasë Europa. E ashtu siç tha dikur Papa i ndjerë Françesku në Romë, ndjej praninë jo të së shkuarës, por të së ardhmes. Faleminderit!", tha Rama gjatë fjalës së tij. 

Konferenca për Rimëkëmbjen e Ukrainës është një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare të këtij viti, në mbështetje të Ukrainës dhe rindërtimit të saj pas pasojave shkatërruese të luftës. Ndërkohë që do të ketë pjesmarrjen e liderëve botërorë, përfaqësuesve të lartë të BE-së, G7-ës, organizatave ndërkombëtare, institucioneve financiare dhe sektorit privat, për të koordinuar ndihmën konkrete dhe investimet strategjike në sektorët kyç të Ukrainës. 

edi rama ne itali

Sondazh

Poll