Aktualitet

Papa Leo letër falenderimi Kryepeshkopit Joan: Pjesëmarrja juaj në Liturgjinë solemne në Vatikan më 18 maj, shenjë treguese e vëllazërisë së krishterë

Papa Leo shprehet se duhet të punojnë së bashku në mënyrë më të frytshme për pajtim dhe harmoni në botën tonë të përçarë.

9 Korrik 2025, 15:16 Nga r.ll
Papa Leo letër falenderimi Kryepeshkopit Joan: Pjesëmarrja juaj
kryepeshkopi joan, papa leo

TIRANË- Papa Leo i ka dërguar një letër falenderimi Kryepeshkopit të Shqipërisë, Fortlumturisë së tij, Joanit. Kreu i Kishës Katolike Romake ka falenderuar Imzot Joanin për pjesëmarrjen në Liturgjinë solemne në Vatikan, të dielën, më 18 maj.

Papa shprehet se pjesëmarrja e Kryepeshkopit dhe delegacionit të tij është shenjë treguese e vëllazërisë së krishterë dhe e unitetit të besimit. Më tej në letër Papa Leo shprehet se duhet të punojnë së bashku në mënyrë më të frytshme për pajtim dhe harmoni në botën tonë të përçarë.

LETRA E PLOTË: 

Fortlumturisë së tij, Joanit,

Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë

Këto ditë, pas përurimit të shërbesës sime si Peshkop i Romës dhe Pasardhës i Pjetrit, po ju shkruaj për t’ju shprehur mirënjohjen e thellë për afërsinë tuaj vëllazërore dhe për dashurinë që treguat kur morët pjesë, bashkë me delegacionin tuaj të nderuar, në Liturgjinë solemne në Vatikan, të dielën, më 18 maj. Pjesëmarrja juaj më preku thellë, sepse është shenjë treguese e vëllazërisë së krishterë dhe e unitetit të besimit.

Si një bashkëshërbëtor në vreshtin e Zotit, ju kërkoj me dashamirësi të vazhdoni të më mbështesni përmes lutjeve tuaja, që Perëndia i Plotfuqishëm të më forcojë t’i shërbej atij dhe popullit të tij të shenjtë. Ndërsa dëgjojmë së bashku se çfarë i thotë Shpirti i Shenjtë kishave (Zbulesa 2:7), le ta ripërtërijmë përkushtimin tonë për të nxitur unitetin ndërmjet të gjithë të krishterëve, duke iu bindur vullnetit të Zotit Jisu ( Jn. 17:21), dhe të punojmë së bashku në mënyrë më të frytshme për pajtim dhe harmoni në botën tonë të përçarë.

Me këto ndjenja, vëlla i dashur, ju përqafoj ngrohtësisht me gëzimin dhe paqen e Krishtit, Shpëtimtarit tonë.

Vatikan, 17 qershor 2025

 

papa leo xiv kryepeshkopi joan

Sondazh

Poll