Politike

Vijon ngërçi politik në Kosovë/ Dështon për herë të 43-të konstituimi i Kuvendit

Edhe në këtë tentativë, deputetët nuk arritën të formojnë Komisionin zgjedhor për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Nga 99 deputetë të pranishëm vetëm 55 prej tyre votuan pro, abstenim dhe kundër nuk pati pasi që pjesa tjetër nuk morën fare pjesë në votim.

7 Korrik 2025, 11:20 Nga E. D
Vijon ngërçi politik në Kosovë/ Dështon për
foto ilustruese

KOSOVË- Procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës ka dështuar sërish, për të 43-tën herë, duke shtyrë edhe më tej formimin e institucioneve të reja të vendit. Edhe në këtë tentativë, deputetët nuk arritën të formojnë Komisionin zgjedhor për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Nga 99 deputetë të pranishëm vetëm 55 prej tyre votuan pro, abstenim dhe kundër nuk pati pasi që pjesa tjetër nuk morën fare pjesë në votim.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari njoftoi se seanca e radhës do të mbahet të mërkurën më 9 korrik në ora 11:00. Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lista Serbe dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA sërish nuk propozuan emrat për anëtarë të këtij komisioni.

Lëvizja Vetëvendosje, si subjekti më i madh në Kuvend, ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare, duke insistuar që votimi të zhvillohet përmes një procesi të fshehtë. Ky rekord i dështimeve reflekton mosmarrëveshjet e thella politike dhe mungesën e konsensusit mes partive kryesore.

Analistët dhe njohësit e çështjeve politike kanë paralajmëruar se vazhdimi i kësaj bllokade serioze mund të ndikojë negativisht në stabilitetin politik dhe zhvillimin demokratik të Kosovës.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese e nxori më 26 qershor një aktgjykim i cili i detyron deputetët që brenda 30 ditëve ta konstituojnë Kuvendin, por nuk dha hollësi se çfarë do të ishin pasojat në rast se afati nuk respektohet.

kuvendi i kosoves

Sondazh

Poll