Aktualitet

Kredi "të buta" për bujqësinë, Resuli: Plani, një tjetër koncesion i heshtur për sektorin bankar, jepini fermerit shqiptar subvencione reale

Ai shtjellon idenë e tij duke shtuar se ka pak kohë që po shitet si zgjidhje “kredia e butë” për bujqësinë dhe blegtorinë, apo ndonjë garanci sovrane. Sipas tij, këto janë thjesht skema që i çojnë ujin mullirit të sektorit bankar dhe jo të fermerit shqiptar.

3 Korrik 2025, 17:56 Nga M.B
Kredi "të buta" për bujqësinë, Resuli: Plani,
Foto ilustruese

TIRANA- Presidenti i Urdhrit Veterinar, Ervin Resuli përmes një postimi në "Facebook" thotë se nuk bëhet bujqësia me kredi. Ai shtjellon idenë e tij duke shtuar se ka pak kohë që po shitet si zgjidhje “kredia e butë” për bujqësinë dhe blegtorinë, apo ndonjë garanci sovrane. Sipas tij, këto janë thjesht skema që i çojnë ujin mullirit të sektorit bankar dhe jo të fermerit shqiptar.

Resuli shkrian se një kredi "e butë" me 2% interes për fermerin dhe 5% të mbuluar nga shteti, nuk është ndihmë për bujqësinë, por garanci fitimi 7% për bankat, me ndërmjetës vetë shtetin. Ai shton se në Europë kredia është një mjet financiar për bujqësinë, por vetëm pas një mbështetjeje të fortë me subvencione direkte për sipërfaqen, për krerët e gjësë së gjallë, për naftën, për plehrat, për sigurimet bujqësore, për mekanikën bujqësore etj.

Gjithashtu Resuli se pas tryezës së djeshme “Dialogu për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural”, bën thirrje që fermerit shqiptar t'i jepen subvencione reale siç i jep Europa, blegtorit shqiptar t'i jepet mbështetje të drejtpërdrejtë për krerët, qumështin, mishin, vaksinimet, standardet, agropërpunuesit dhe eksportuesit shqiptar t'i jepen kredi të buta për rritje dhe teknologji dhe mbi të gjitha thekson të mos jepet bujqësia me koncesion.

POSTIMI:

Nuk bëhet bujqësia me kredi!
Ka pak kohë po na shitet si zgjidhje “kredia e butë” për bujqësinë dhe blegtorinë, apo ndonjë garanci sovrane. Në fakt, këto janë thjesht skema që i çojnë ujin mullirit të sektorit bankar, jo të fermerit shqiptar.

Një kredi "e butë" me 2% interes për fermerin dhe 5% të mbuluar nga shteti, nuk është ndihmë për bujqësinë, por garanci fitimi 7% për bankat – me ndërmjetës vetë shtetin! E quaj ndryshe: një tjetër koncesion i heshtur për sektorin bankar.

Po, në Europë kredia është një mjet financiar për bujqësinë, por vetëm pas një mbështetjeje të fortë me subvencione direkte për sipërfaqen, për krerët e gjësë së gjallë, për naftën, për plehrat, për sigurimet bujqësore, për mekanikën bujqësore... dhe lista vazhdon.

Në Shqipëri, për 35 vite me radhë, bujqësia dhe blegtoria nuk kanë pasur asnjëherë një mbështetje reale! Subvencionet janë dhënë si ndihma sociale, pa kriter, pa vizion, pa impakt. Sot, po shkohet më keq: po i japim bankave sektorin bujqësor me koncesion!

Fermeri shqiptar ka nevojë për subvencion direkt, formalizim dhe besim. Nga ky kombinim, shteti jo vetëm që nuk humbet, por fiton dyfish në tatime dhe zhvillim rural.

Kredia duhet të jetë për industrinë, për ata që qarkullojnë miliona euro në agropërpunim, eksport, agroturizëm apo zinxhir vlerash të mëdha. Por jo për të blerë një frezë, 10 krerë lopë, për të ndërruar çatinë apo për të blerë ushqim bagëtish! Në këto raste, kredia nuk ndihmon, por e fundos fermerin dhe e lidh edhe më shumë me sistemin bankar, që s’e njeh realitetin e fshatit dhe e kthen ne bujkrobëri fshatrin , ku i detyruar të punojë për vete dhe bankën.

Për fat të keq, në krye të Ministrisë së Bujqësisë kanë kaluar emra që nuk e kanë kuptuar kurrë rolin strategjik të bujqësisë dhe blegtorisë si rezerva kombëtare ushqimore dhe si mjet për të mbajtur gjallë jetën në zonat rurale, për të ruajtur biodiversitetin dhe për të mbrojtur tokën shqiptare.

Ndaj, pas tryezës së djeshme “Dialogu për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural”, dua të ndaj këtë thirrje:

Jepini fermerit shqiptar subvencione reale siç i jep Europa!

Jepini blegtorit shqiptar mbështetje të drejtpërdrejtë për krerët, qumështin, mishin, vaksinimet, standardet!

Jepini agropërpunuesit dhe eksportuesit shqiptar kredi të buta për rritje dhe teknologji!

Dhe mbi të gjitha: mos e jepni bujqësinë me koncesion! Se kjo nuk është një industri për t’u keqpërdorur, por themel i sigurisë ushqimore të kombit.

ervin resuli

Sondazh

Poll