Politike

Ilir Meta kërkon lirimin nga qelia, GJKKO tërhiqet për vendim

Meta ndodhet në paraburgim që prej datës 21 tetor 2024, ndërsa mbrojtja e tij argumenton se janë shkelur afatet procedurale. Sipas tyre, SPAK nuk ka paraqitur njoftimet periodike dy mujore, të parashikuara nga ligji për vazhdimin e masës së sigurisë.

26 Qershor 2025, 13:59 Nga E. D
Ilir Meta kërkon lirimin nga qelia, GJKKO tërhiqet për vendim
foto ilustruese

TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) është tërhequr për të marrë vendim për Kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Presidenti i PL-se kërkon ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në një masë më të butë.

Meta ndodhet në paraburgim që prej datës 21 tetor 2024, ndërsa mbrojtja e tij argumenton se janë shkelur afatet procedurale. Sipas tyre, SPAK nuk ka paraqitur njoftimet periodike dy mujore, të parashikuara nga ligji për vazhdimin e masës së sigurisë.

Avokatët kërkojnë që kjo situatë të konsiderohet si shkak për zëvendësimin e masës me një formë më të lehtë sigurimi, siç mund të jetë “arresti shtëpiak” apo “detyrimi për paraqitje”.

 

Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024. Ai dhe deputetja Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t'i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.

Konkretisht, deputetja Kryemadhi po hetohej nga SPAK për tre akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash. Gjykata la në fuqi më 23 tetor masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj Kryemadhit, për të njëjtat vepra penale, si dhe ndaj të hetuarës Ema Çoku, për pastrim parash.

Ndërkohë ndaj Piro Xhixhos, i hetuar për korrupsion pasiv, iu zëvëndësua masa e sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Të tre të hetuarit nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje” urdhërohen të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore të SPAK.

 

ilir meta

Sondazh

Poll