Aktualitet

VIDEO/ Momenti kur mbërrin në Shqipëri vëllai i Nuredin Dumanit dhe Armis Stafa, “truri” financiar i klanit Çopja

Policia e Shtetit ka shpërndarë pamjet e mbërritjes së tyre në Rinas, të shoqëruar nga forca të policisë. Dumani dhe Stafa ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar, në kuadër të operacionit policor të koduar “The Wanted”.

11 Qershor 2025, 17:40 Nga E. D
VIDEO/ Momenti kur mbërrin në Shqipëri vëllai i Nuredin
pamje nga vendngjarja

RINAS- Dashnor Dumani, vëllai i Nuredin Dumanit dhe Armis Stafa, “truri” financiar i klanit Çopja janë ekstraduar nga Dubai në Shqipëri. Policia e Shtetit ka shpërndarë pamjet e mbërritjes së tyre në Rinas, të shoqëruar nga forca të policisë. Dumani dhe Stafa ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar, në kuadër të operacionit policor të koduar “The Wanted”.

 

Vëllai i Nuredin Dumanit, Dashnor Dumani akuzohet për vrasje në rrethana të tjera cilësuese, vjedhje me armë dhe mbajtje pa leje të armëve. Ai dyshohet si ekzekutori i vrasjes së trefishtë në fshatin Bradashesh, në vitin 2018, ndërsa në vitin 2019 ka marrë pjesë në djegien e një automjeti të përdorur gjatë një grabitjeje me armë në Rinas.

Gjithashtu ai është i dënuar nga Gjykata e Durrësit në vitin 2016 me 4 vjet e 4 muaj burgim për armëmbajtje pa leje, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe 1 vit e 4 muaj. Ndërsa Artemis Stafa është i akuzuar për pastrim parash në kuadër të një organizate kriminale. Stafa ka ndihmuar në pastrimin e të ardhurave kriminale përmes shitblerjes së automjeteve, në favor të shtetasve të dyshuar F. G. (alias F. Ç.) dhe H. B. (alias H. Ç.).

Njoftimi:

Vijon bashkëpunimi shumë i ngushtë me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, për të lokalizuar, kapur dhe ekstraduar shtetasit e shpallur në kërkim ndërkombëtar, që synojnë t’i fshihen drejtësisë shqiptare.

Ekstradohen nga Dubai në Shqipëri, 2 shtetas të shumëkërkuar, pjesëtarë të një organizate kriminale që akuzohet nga GjKKO, për kryerje të krimeve të rënda.

Si rezultat i këtij bashkëpunimi solid të realizuar nëpërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit, në kuadër të operacionit ndërkombëtar, të koduar “The Wanted”, u finalizuan procedurat për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasve shqiptarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar:

-D. D., 40 vjeç, pasi GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Vjedhja me arme” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit“, kryer në kuadër të organizatës kriminale. Ky shtetas akuzohet se:
٠në vitin 2018, në fshatin Bradashesh, ka patur rolin e ekzekutorit në vrasjen e shtetasve E. A., A. D. dhe E. D.;
٠në vitin 2019, bashkë me shtetasin A. N., ka djegur një nga automjetet e përdorura gjatë vjedhjes me armë, të shumës së parave, në Rinas.

Gjithashtu, 40-vjeçari është dënuar nga Gjykata e Durrësit, në vitin 2016, me 4 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit“. Nga ky dënim, atij i kanë mbetur për të vuajtur 1 vit e 4 muaj burgim;

-A. S., 36 vjeç, pasi GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në kuadër të organizatës kriminale. Ky shtetas akuzohet se ka pastruar nëpërmjet shitblerjes së automjeteve, paratë e shtetasve F. G. alias F. Ç. dhe H. B. alias H. Ç., vëllezër, të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale.

2 shtetasit u kapën nga policia e Dubait, si rezultat i sigurimit dhe shkëmbimit të shpejtë të informacioneve, nga struktura të specializuara të Policisë së Shtetit.

dashnor dumani armis stafa

Sondazh

Poll