Politike

Ndërhyrjet në ish-burgun e Spaçit/ Ministri Gonxhe do të thirret në seancë dëgjimore në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik

Ndërkohë data për zhvilimin e kësaj seance dëgjimore pritet të vendoset nga kryesia e komisionit.

9 Qershor 2025, 17:37 Nga r.ll
Ndërhyrjet në ish-burgun e Spaçit/ Ministri Gonxhe do të
komisioni per edukimin

TIRANË- Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik ka zhvilluar sot seancën e radhës. Kryetarja e komisionit, Ina Zhupa e nisi fjalën e saj me ndërhyrjet që po ndodhin në ish-burgun e Spaçit. Ajo tha se këto ndryshime që po ndodhin janë një skandal, ndërsa shtoi se lidhur me këtë ka kërkuar të zhvillohet një seancë dëgjimore me ministrin e Kulturës, Blendi Gonxhen. 

"Ditët e fundit po ndodh një skandal, një procedurë jashtë normales, jo në respekt të historisë dhe dhimbjes së shqiptarëve. Në burgun e Spaçit, po bëhen ngjyrosje, bojatisje, mermerizime, ledizime. Nuk kanë për qëllim mbrojtjen dhe trashëgiminë e asaj që ka ndodhur aty dhe atë që ne duhet t’i transmetojmë fëmijëve tanë, brezave të ardhshëm, por edhe vetë bashkëkombësve tanë për tmerrin, ferrin që ishte Spaçi dhe për atë që personifikonte Spaçi si një burgim për të gjithë ata që vendosnin të ishin ndryshe nga qeveria, të mendonin ndryshe nga pushteti, të mendonin ndryshe nga diktatori, për t’i treguar atyre që liria e shprehjes, që liria e mendimit ndryshe ka kosto, ju vendosni që ta tjetërsoni, ta zbukuroni, ta ndryshoni dhe ta ktheni pak a shumë në një hotel luksi në imazhin tuaj, sesi do duhet të ishte Spaçi. Unë jam bashkuar të gjithë atyre që kanë reaguar dhe janë ndjerë të prekur për shkak të rëndësisë që ka mbrojtja e këtyre institucioneve. Në këtë aspekt kam kërkuar seancë dëgjimorë me ministrin e Kulturës, Blendi Gonxhen, me drejtoreshen e Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe shoqatat e të përndjekurve politikë. Sepse nuk mund të rrimë mënjanë dhe të themi çfarë na duhet ne.", u shpreh Zhupa.

Edhe anëtarët e Partisë Socialiste u shprehën se janë dakord për thirrjen e ministrit në seancë dëgjimore. Ndërkohë data për zhvilimin e kësaj seance dëgjimore pritet të vendoset nga kryesia e komisionit.

Në burgun e Spaçit po kryhen punime që synojnë konservimin dhe restaurimin e ndërtesave ekzistuese, si një nga burgjet më të egra të regjimit komunist në vendin tonë. Por sipas ekspertëve këto restaurime po cenojnë identitetin e objekteve. Kundër këtyre "restaurimeve janë shprehur edhe ish-të dënuar politikë të regjimit komunist dhe aktivistë, të cilët kanë zhvilluar edhe protestë në ish-burgun e Spaçit. Sipas ish-të përndjekurve politikë me këto ndërhyrje po fshihet historia.

Vetë ministri Gonxhe u shpreh dy ditë më parë se nuk është pjesë e ndërhyrjes ringritja e banjove dhe terracës mbi to, as nuk është aprovuar nga IKTK dhe as nuk përfshihet në projekt e kontratë. Ai tha se elementet e tjerë si një kullë metalike, një copë rrethimi, një portë dhe një fragment kangjelle të përfshira në kontratë, do të realizohen vetëm pas zbërthimit të detajuar bazuar në foto e dëshmi historike si edhe do të jenë të çmontueshme në rast ndërhyrjesh të tjera në vijim sipas Planit të Menaxhimit. Gjithashtu Gonxhja thekson se çdo përgjegjësi gjatë fazës zbatuese është nën shqyrtim.

 

ish-burgu i spacit blendi gonxhe ina zhupa

Sondazh

Poll