Bota

Bastisjet e emigrantëve në Los Angeles/ Policia urdhëron protestuesit të largohen! Guvernatori i Kalifornisë sfidon Trump: Ejani më arrestoni! Presidenti: Sillni trupa

Autoritetet kanë shpallur qendrën e qytetit si zonë të paligjshme tubimi.

9 Qershor 2025, 09:03 Nga M.B
Bastisjet e emigrantëve në Los Angeles/ Policia urdhëron
Foto nga vendi i ngjarjes

SHBA- Protestat kundër bastisjeve të emigrantëve në qytetin e Los Angeles kanë hyrë në ditën e tretë. Mediat e huaja shkruajnë se autoritetet kanë shpallur qendrën e qytetit si zonë të paligjshme tubimi ndërsa policia ka urdhëruar protestuesit të largohen nga qendra e Los Angeles.

Departamenti i Policisë së Los Anxhelosit (LAPD) qëlloi me municion për kontrollimin e turmës për të shpërndarë protestuesit, për të cilët tha se u mblodhën në mënyrë të paligjshme. Pjesa më e madhe e grupit më pas bllokoi trafikun në autostradën 101 derisa oficerët e patrullës shtetërore i larguan ata nga rruga.

Raportohet se situata është përshkallëzuar ndjeshëm, teksa disa automjete janë djegur dhe janë kryer akte plaçkitjeje. Një fotograf britanik ka mbetur i plagosur rëndë pasi është qëlluar me një plumb sfungjeri dhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, i është përgjigjur një kërcënimi për arrestim nga një anëtar i kabinetit të Trump.

“Cari kufitar i Trump po më kërcënon të më arrestojë sepse flas hapur. Ejani dhe më kapni, o djalë i fortë. Nuk më intereson fare. Kjo nuk do të më ndalojë të mbroj Kaliforninë”, shkruan ai në X.

Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka reaguar përmes një deklarate të shkurtër, duke thënë: “Situata në LA duket shumë e keq! Sillni trupat!”.

Gjithashtu Trump ka urdhëruar tashmë dislokimin e Gardës Kombëtare në qytet, veprim ky që është ndërmarrë pavarësisht kundërshtimit të guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom.

shba

Sondazh

Poll