Politike

Bislimi udhëton drejt Brukselit, zëdhënësi i BE-së: Rinisin takimet për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë! Pala serbe mbërrin nesër

Duhet theksuar se ky është takimi i parë mes kryenegociatorëve në Bruksel që nga emërimi i Peter Sorensen si i dërguar i posaçëm për dialog, në vend të Miroslav Lajçak.

2 Qershor 2025, 14:27 Nga N.F
Bislimi udhëton drejt Brukselit, zëdhënësi i BE-së:
Anouar El Anouni

BRUKSEL- Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka udhëtuar për në Bruksel, ku do të ketë takim lidhur me procesin e dialogut me Serbinë. Këtë e bëri të ditur zëdhënësi i BE-së, Anouar El Anouni në një konferencë për media të hënën. Ai theksoi se pala serbe do të arrijë nesër në Bruksel.

“Ajo çka mund të them është se takimi ishte thirrur në nivel të kryenegociatorëve, dhe se takimi me palën kosovare zhvillohet me pjesëmarrjen e zëvendëskryeministrit Bislimi. Pala serbe pritet të mbërrijë nesër. Kjo është ajo çka mund të themi aktualisht dhe do t’ju lajmërojmë nëse kemi informacione të tjera”, ka deklaruar ai.

Duhet theksuar se ky është takimi i parë mes kryenegociatorëve në Bruksel që nga emërimi i Peter Sorensen si i dërguar i posaçëm për dialog, në vend të Miroslav Lajçak. Që nga shtatori i vitit 2023 në Bruksel nuk është zhvilluar asnjë raund i dialogut politik, por ka pasur vetëm bisedime në nivel të kryenegociatorëve.

E gjithë kjo ndodhi për shkak të krizave dhe tensioneve në veri të Kosovës. Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, në shkurt të vitit 2023 kanë arritur marrëveshjen bazë në Bruksel, ndërkaq pas një muaji, me 18 mars janë pajtuar për aneksin e zbatimit të saj në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, zbatimi i saj ende nuk shihet në horizont.

anouar el anouni kosova serbia dialogu kosove-serbi

Sondazh

Poll