Bota

Besimi i evropianëve në BE arrin në nivelin më të lartë që nga viti 2007

Mbështetja për euron ka arritur nivelin më të lartë historik, por evropianët mbeten të ndarë mbi kushtet aktuale ekonomike

28 Maj 2025, 18:53 Nga r.ll
Besimi i evropianëve në BE arrin në nivelin më të
foto ilustruese

BRUKSEL- Besimi i qytetarëve evropianë në Bashkimin Evropian dhe institucionet e tij ka arritur nivelin më të lartë në pothuajse dy dekada. 52% e evropianëve i besojnë BE-së, përqindja më e lartë që nga viti 2007, me të rinjtë e moshës 15-24 vjeç që shprehin besimin më të madh me 59%, sipas Eurobarometrit.

Vetëm 36% e të anketuarve thonë se u besojnë qeverive të tyre kombëtare. Në Greqi, përqindja e atyre që i besojnë BE-së është 37%, por përqindjet për qeverinë dhe Parlamentin janë më të ulëta, përkatësisht 24% dhe 20%.

Gjetjet vijnë në vazhdën e tensioneve midis bllokut evropian dhe SHBA-së. Anketa u krye midis 26 marsit dhe 22 prillit në të 27 shtetet anëtare të BE-së, me 26,368 intervista ballë për ballë. Mbështetja për euron ka arritur nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë, me 74% të të gjithë qytetarëve të BE-së dhe 83% të banorëve të eurozonës që mbështesin një bashkim ekonomik dhe monetar evropian me një monedhë të vetme.

Pavarësisht mbështetjes së fortë për monedhën e përbashkët, evropianët mbeten të ndarë mbi kushtet aktuale ekonomike, me 44% që e përshkruajnë situatën në ekonominë evropiane si të mirë, por 48% që e gjykojnë atë negativisht.

Megjithatë, 43% presin që kushtet ekonomike të mbeten të qëndrueshme vitin e ardhshëm. Eurobarometri zbulon gjithashtu mbështetje të fortë për fusha të tjera të integrimit në BE, veçanërisht në siguri dhe mbrojtje, ku 81% e të anketuarve janë në favor të një politike të përbashkët midis shteteve anëtare - niveli më i lartë që nga viti 2004.

Mbështetja për politikën e BE-së ndaj Ukrainës mbetet e fortë, me 77% të të anketuarve që e shohin pushtimin e Ukrainës nga Rusia si një kërcënim për sigurinë e BE-së dhe 72% që mbështesin sanksionet ekonomike kundër Rusisë. “Pushtimi i Ukrainës nga Rusia konsiderohet ende çështja më e rëndësishme në nivelin e BE-së”, thotë Eurobarometri.

eurobarometri

Sondazh

Poll