Politike

Pas pesë orë marrjeje në pyetje/ Ministri Bujqësisë, Faton Peci lirohet në procedurë të rregullt

Zëdhënësja e Prokurorisë, Arbnora Luta, ka konfirmuar se ministri Peci u intervistua për disa orë në cilësinë e të dyshuarit për këtë rast.

27 Maj 2025, 20:15 Nga M.L
Pas pesë orë marrjeje në pyetje/ Ministri Bujqësisë,
Faton Peci

KOSOVA- Ministri në detyrë i Bujqësisë dhe deputet i Kuvendit të Kosovës, Faton Peci, është liruar në procedurë të rregullt pas një marrjeje në pyetjeje pesë orësh nga Njësia e Veçantë e Hetimeve në Policinë e Kosovës. Zëdhënësja e Prokurorisë, Arbnora Luta, ka konfirmuar se ministri Peci u intervistua për disa orë në cilësinë e të dyshuarit për këtë rast.

“Pas marrjes në pyetje nga Njësia e Veçantë Hetimore, ai u lirua në procedurë të rregullt”, ka thënë Luta.

Intervistimi është zhvilluar në kuadër të hetimeve për një kontratë të dyshuar prej 60 milionë eurosh, që ka të bëjë me menaxhimin e mbetjeve nga nënproduktet shtazore. Peci është intervistuar në cilësinë e të pandehurit, sipas konfirmimit të prokurorit të rastit, Admir Shala, për portalin Telegrafi.

Hetimet janë pjesë e një aksioni më të gjerë që përfshiu bastisje në katër lokacione të ndryshme, të cilat janë kryer me urdhër të Prokurorisë. Përveç ministrit Peci, është marrë në pyetje edhe drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Bekim Hoxha. Ai është intervistuar në lidhje me të njëjtin rast që lidhet me dyshimet për keqpërdorime në procesin e tenderimit për funksionalizimin e objekteve për përpunimin e nënprodukteve shtazore.

Bastisjet e ditës përfshinë edhe Ministrinë e Bujqësisë, selinë e AUV-it, Agjencinë për Zhvillim Bujqësor si dhe lokacionin e kompanisë që ka përfituar kontratën shumëmilionëshe. Hetimet vazhdojnë, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje për rezultatet e bastisjeve apo për hapat e mëtejmë ndaj zyrtarëve të përfshirë. /Telegrafi

faton peci

Sondazh

Poll