Aktualitet

Miliona euro dhe disa kompani mes tyre një televizion, kush janë shoqëritë e sekuestruara nga SPAK

Mësohet se deri më tani nga operacioni janë sekuestruar 3 milion euro në para cash, ndërkohë që janë bllokuar dhe disa kompani. 

21 Maj 2025, 12:49 Nga I.A
Miliona euro dhe disa kompani mes tyre një televizion, kush janë
Foto nga operacioni

TIRANË- Detaje të reja kanë dalë ditën e sotme nga operacioni Ura mes Shqipërisë dhe Italisë, ku u shkatërrua një prej grupeve kriminale më të mëdha në vend. Mësohet se deri më tani nga operacioni janë sekuestruar 3 milion euro në para cash, ndërkohë që janë bllokuar dhe disa kompani. 

Burime bëjnë me dije se nën sekuestro është vendosur shoqëria “Marquez” e Ervin Zeqirit, “Felix Vinum” e Adi Çobës dhe “Majestic Konstruksion” e Juxhin Drazhit. Po ashtu nën sekuestro është vendosur dhe “Portside” e Elvis Doçit, "Dubai Inn" dhe televizioni "Vlora Cable" e Nexhmedin Danajt, si dhe një kompani tregtare për shitblerje makinash në pronësi të Olgert Shqevit.

Urdhrat u lëshuan nga Gjyqtari për Hetimet Paraprake të Barit dhe nga Gjykata e Posaçme të Shkallës së Parë për Antikorrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO). Operacioni u nis nga Drejtoria e Qarkut Antimafia e Barit dhe SPAK , me koordinimin e Eurojust (Hagë) dhe Drejtorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm të Romës.

Urdhra për sekuestrimin e aseteve u ekzekutuan gjithashtu në Shqipëri dhe Itali, në lidhje me pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, me vlerë prej disa milionë eurosh. Hetimet janë pjesë e një projekti më të gjerë hetimor të DDA-së së Barit dhe SPAK-ut që synon luftimin e trafikut të pandërprerë ndërkombëtar të kokainës dhe heroinës, të menaxhuar nga organizatat kriminale shqiptare, të cilat lëvizin sasi të mëdha heroine dhe kokaine midis Ballkanit, Evropës Veriore dhe Puglias.

juxhin drazhi ervin zeqiri felix vinum vlora cable dubai inn nexhmedin danaj operacioni ura

Sondazh

Poll