Politike

"Nuk ka humbës, por vetëm fitues!" Përfudnimi i numërimit të votave, Rama mesazh socialistëve: Kokën lart të gjithë bashkë motra e vëllezër, kemi punuar e jemi munduar për ta arritur gëzimin

 Rama e cilëson këtë betejë politike si një eksperiencë të paharrueshme dhe falënderon të gjithë anëtarët e PS-së për angazhimin e tyre.

20 Maj 2025, 22:10 Nga M.B
"Nuk ka humbës, por vetëm fitues!" Përfudnimi i
Edi Rama

TIRANA- Kryeministri Edi Rama njëherësh dhe kryetari i Partisë Socialiste ku ka dërguar një mesazh falënderues kandidatëve dhe antëtarëve të tjerë të PS-së pas përfundimit të numërimit dhe të votave të diasporës. Në mesazhin e siguruar nga gazetari Muhamed Veliu, Rama e cilëson këtë betejë politike si një eksperiencë të paharrueshme dhe falënderon të gjithë anëtarët e PS-së për angazhimin e tyre.

Sipas tij, rezultati i përbashkët do të mbetet në historinë politike të Shqipërisë, si një sukses krejt i veçantë. Rama ka përgëzuar veçanërisht ata që dhanë gjithçka në terren, duke e quajtur kontributin e tyre një forcë të shtuar për Partinë Socialiste në çdo cep të vendit.

Po ashtu ai uron të gjithë ata që kanë fituar mandate në legjislaturën e re, ndërsa për kandidatët që nuk arritën të sigurojnë një vend në Kuvend, Rama shpreh mirënjohjen për përkushtimin e tyre.

Mesazhi i Ramës:

Sot ka mbaruar edhe numërimi i votave të diasporës, pra kanë mbaruar zgjedhjet dhe unë dua të ndaj me ju disa fjalë, aq sa lejon kjo dritare. Dua t’ju falënderoj të gjithëve për eksperiencën e një beteje politike të paharrueshme, ku secili e secila beri sa mundi dhe ku rezultati i përbashkët do mbetet në historinë politike të Shqipërisë, e natyrisht edhe në historinë e Partisë Socialiste, si një sukses krejt i veçantë. Faleminderit!

Dua t’i përgëzoj shumë përzemërsisht të gjithë ata dhe ato që në fushën e hapur të betejës, u përpoqën me të gjitha forcat e tyre dhe u bënë fuqi e shtuar e Partisë Socialiste në çdo territor! Urime me gjithë zemër për ata e ato që ia dolën të hyjnë në ekipin e legjislaturës së ardhshme.

Të gjithë atyre qe s’ia dolën u them shumë sinqerisht se duhet të jenë jo vetëm krenarë, për pjesën e tyre të çmuar në fitoren e Partisë Socialiste, po edhe të bindur se në rrugën që vazhdon, me supersfidën historike të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, kontributi i tyre do të jetë shumë i nevojshëm. Prandaj kokën lart të gjithë bashkë motra e vëllezër, këtu nuk ka humbës por vetëm fitues!

Duke uruar që të gjeni pak ditë qetësi pranë familjeve e fëmijëve tuaj – Zoti i bekoftë për të gjithë barrën që mbajnë – ju përqafoj të gjithëve me premtimin se nuk do rrimë pa u mbledhur edhe live, jo për ndonjë festë të madhe, po për shijen e një gëzimi të merituar familjar si ky që vetëm ne e dimë se sa kemi punuar e jemi munduar për ta arritur.

(Mesazhi mbyllet me një emoji në formën e zemrës dhe numrin 5)

 

edi rama

Sondazh

Poll