Politike

"“DHL nuk e zbatoi kontratën në Greqi", Topalli nga protesta: Të mos marrim vendime të nxituara në kohë mërzie!

Topalli theksoi se kanë ndodhur raste kur votuesit e diasporës nuk kanë votuar vetë, por të tjerë kanë votuar në emër të tyre.

16 Maj 2025, 18:31 Nga N.F
"“DHL nuk e zbatoi kontratën në Greqi", Topalli nga
Topalli

TIRANË- Drejtuesja e PD-së për diasporën, Jozefina Topalli ka marrë pjesë në protestën e sotme që po zhvillohet nga opozita në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve. Topalli u shpreh se në këto zgjedhje ka manipulim të procesit zgjedhor dhe shkelje të integritetit të tij.

“Po protestojmë për një realitet që po thuhet publikisht. Unë kam mbuluar diasporën dhe gjej një proces i cili është i cenuar në gjithë integritetin e tij. Për shembull, në Berat 90 për qind e votave kanë qenë për Partinë Socialiste. Nëse dikush mendon se kjo është normale, atëherë pres që nga Greqia të dalin 110 për qind për PS”, deklaroi ajo.

Topalli theksoi se kanë ndodhur raste kur votuesit e diasporës nuk kanë votuar vetë, por të tjerë kanë votuar në emër të tyre. Sipas saj, në tri javë nga Greqia kanë ardhur 17 mijë zarfa me vota, ndërsa vetëm në gjashtë ditët e fundit janë dërguar 33 mijë të tjerë.

“DHL nuk e zbatoi kontratën në Greqi dhe ia kaloi nënkontraktorëve të tjerë, të cilët i çuan zarfet në lokale bastesh. Si ka mundësi që në tri javë vijnë 17 mijë vota, dhe në pesë ditë 36 mijë zarfa? Bëjeni vetë llogarinë. Kjo është një formë manipulimi e vullnetit të shqiptarëve në Greqi dhe jo vetëm”, shtoi Topalli.

Ajo shtoi se në gjendjen ku ndodhen nuk duhen marrë vendime të nxituara politike. Kur u pyet nëse do të respektohet neni në statutin e PD që përcakton se kryetari duhet të japë dorëheqjen në rast humbjesh në zgjedhje, ajo ritheksoi se vendimet duhet të merren kur të jenë të qetë.

“Përpara se të bënit këtë pyetje ju thashë një gjë. Në momente të vështira mërzie, vendimet duhet t’i lësh në një moment kur të jesh më i qetë për të mos gabuar”, ishte përgjigja e Topallit.

topalli

Sondazh

Poll