Politike

Berisha-fermerëve: Banka e Zhvillimit do u çlirojë ju nga mikrokreditë që po u sjellin shumë telashe

Lideri i opozitës gjithashtu akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe ministrta e tij për vjedhjet dhe abuzimet që sipas tij shkojnë në shkallën më ekstreme.

2 Maj 2025, 12:11 Nga E. D
Berisha-fermerëve: Banka e Zhvillimit do u çlirojë ju nga
Sali Berisha

DIMAL- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë takimit në Dimal u tha fermerëve se Banka e Zhvillimit do ketë një sektor të veçantë për bujqësinë dhe do i çlirojë nga mikrokreditë që po u sjellin shumë telashe. Lideri i opozitës gjithashtu akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe ministrta e tij për vjedhjet dhe abuzimet që sipas tij shkojnë në shkallën më ekstreme. Sipas tij Shqipëria mund të jetë vendi i prodhimit të frutave më të mrekullueshme dhe në sasi të mëdha.

"Mund të flas dy ditë rresht pa ndërprerje për vjedhjet e dhe abuzimet e Edi Ramës dhe ministrat e tij që shkojnë në shkallën më ekstreme. Po kthehem nga një kongres, kur unë u tregoja se për djegësin e Tiranës janë dhënë 130 milionë euro, dhe djegësi nuk ekziston prej 6 vitesh asnjë tullë, u them të vërtetën, ata që më dëgjonin, nuk e besonin dhe detyrohesha t’ua ktheja dy-tre herë dhe t’u shpjegoja që ai nuk ekziston. Po ja që ndodh në Shqipëri, që nuk ndodh askund në botë,. Ndaj dhe 11 Maji është një ditë që të ndahemi nga kjo e keqe e madhe.

Është një ditë të votojmë për veten tonë. Ne do vazhdojmë subvencionet tona për çdo fidan, siç e thashë. Ne patëm projektin e ullirit dhe arrorëve dhe u siguroj se nuk do mbetet kodër pa u mbjellë me ullinj, lajthi ose vreshta në të gjithë Shqipërinë. Shqipëria mund të jetë vendi i prodhimit të frutave më të mrekullueshme dhe në sasi të mëdha. Është një kopsht natyror i vërtetë. Ne sigurisht do subvencionojmë edhe bimët e arave dhe të gjitha llojet e tjera të prodhimit.

Banka e Zhvillimit do ketë një sektor të veçantë për bujqësinë dhe do u çlirojmë nga mikrokreditë se edhe këto me interesat e larta u sjellin shumë telashe ju. Ne do garantojmë për ju kredi të buta nga Banka e Zhvillimit, pastaj ju do ndërtoni jetën tuaj, të rinjtë do punojnë, fermat do ecin dhe Shqipëria do bëhet më e pasur dhe më e mëkëmbur dhe ju më të pasur," tha Berisha. 

sali berisha

Sondazh

Poll