Politike

Berisha takim me Abdixhikun në Kongresin e PPE: PD-LDK, front i bashkuar për demokracinë dhe kauzën kombëtare shqiptare

Takimi mes Berishës dhe Abdixhikut u karakterizua nga një atmosferë miqësore, duke reflektuar lidhjet e kahershme dhe bashkëpunimin mes dy partive simotra të qendrës së djathtë në hapësirën shqiptare.

30 Prill 2025, 18:36 Nga r.ll
Berisha takim me Abdixhikun në Kongresin e PPE: PD-LDK, front i bashkuar
pamje nga takimi

SPANJË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar një takim me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun gjatë Kongresit të Partive Popullore Evropiane që u mbajt në Valencia. Takimi mes Berishës dhe Abdixhikut u karakterizua nga një atmosferë miqësore, duke reflektuar lidhjet e kahershme dhe bashkëpunimin mes dy partive simotra të qendrës së djathtë në hapësirën shqiptare.

Në qendër të diskutimeve ishin sfidat politike me të cilat përballen Kosova dhe Shqipëria në dy faza të ndryshme të proceseve zgjedhore, Kosova në periudhën paszgjedhore dhe Shqipëria në prag të zgjedhjeve. Të dy liderët ndanë analiza mbi zhvillimet e fundit politike në vendet e tyre, duke theksuar nevojën për qasje të bashkërenduar dhe mbështetje të ndërsjellë në përballimin e sfidave demokratike, si dhe forcimin e institucioneve përfaqësuese dhe demokratike.

Në takim u theksua domosdoshmëria për një bashkëpunim më të ngushtë mes LDK-së dhe PD-së, jo vetëm në kuadër të përkatësisë së përbashkët ideologjike dhe anëtarësisë në familjen e Partive Popullore Evropiane, por edhe për shkak të përgjegjësisë historike dhe kombëtare që mbartin. Palët u zotuan të thellojnë koordinimin për interesa të përbashkëta politike, për të forcuar vlerat demokratike dhe për t’u përballur së bashku me sfidat që i presin dy vendet dhe mbarë kombi shqiptar.

sali berisha lumir abdixhiku

Sondazh

Poll