Politike

Deputetja e Partisë Demokratike të Italisë: Në kampin e Gjadrit janë regjistruar 35 tentativa për vetëvrasje! Ato qendra prodhojnë vuajtje dhe jo zgjidhje

Scarpa theksoi se gjatë vizitës së saj të fundit në kamp, në regjistrin e ngjarjeve të rënda janë dokumentuar episode që kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme mjekësore, duke dëshmuar për një klimë shqetësuese brenda kampit.

29 Prill 2025, 15:30 Nga r.ll
Deputetja e Partisë Demokratike të Italisë: Në kampin e
rachele scarpa

TIRANË- Deputetja e Partisë Demokratike italiane, Rachele Scarpa, ka folur lidhur me gjendjen e emigrantëve në kampin e Gjadrit. 

Deputetja italiane është shprehur se për një periudhë rreth dy javore janë regjistruar 35 tentativa për vetëvrasje dhe vetëplagosje. Në një intervistë për Euronews Albania, ajo e ka konsideruar kampin si të papërshtatshëm dhe potencialisht të rrezikshëm për jetën e personave që ndodhen aty.

Scarpa është shprehur se 16 nga emigrantët janë kthyer në Itali, pasi sipas saj janë konsideruar në rrezik për jetën dhe të papërshtatshëm për të qëndruar aty. 

“16 persona janë kthyer tashmë në Itali, pasi u konsideruan në rrezik për jetën dhe të papërshtatshëm për të qëndruar në qendrën e Gjadrit,” tha ajo.

Scarpa theksoi se gjatë vizitës së saj të fundit në kamp, në regjistrin e ngjarjeve të rënda janë dokumentuar episode që kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme mjekësore, duke dëshmuar për një klimë shqetësuese brenda kampit.

Një tjetër problem i theksuar nga deputetja ishte mënyra e projektimit të qendrës, e cila, sipas saj, nuk është bërë me standarde sigurie. Ajo u shpreh se dispozitivët kundër zjarrit janë vendosur në vende të arritshme nga personat e strehuar, të cilët i kanë përdorur për të tentuar vetëvarje. Ky fakt, sipas Scarpa, dëshmon për neglizhencë dhe nxitim të qeverisë Meloni në vënien në punë të kampit pa përfunduar kolaudimin dhe sigurinë e nevojshme.

“Për ne, si Parti Demokratike, është e qartë se këto qendra nuk funksionojnë. Ato nuk prodhojnë zgjidhje, por vetëm vuajtje dhe dhimbje, prandaj duhen mbyllur sa më parë,” përfundoi deputetja italiane.

rachele scarpa

Sondazh

Poll