Politike

"Pensionistët janë kategoria sociale më e diskriminuar dhe e varfër"/ Xhixho: Do vendosim minimum jetik 200 euro për çdo shqiptar!

Në një deklaratë për mediat Xhixho tha se në 12 vjet qeveria nuk ua ka lehtësuar jetën pensionistëve duke u rritur shpërblimin për kontributin e një jete të tërë.

23 Prill 2025, 17:52 Nga E. D
"Pensionistët janë kategoria sociale më e diskriminuar dhe e
Erisa Xhixho

TIRANË- Zv.presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho deklaroi se pensionistët janë sot kategoria sociale më e diskriminuar, dhe e varfër e shoqërisë. Në një deklaratë për mediat Xhixho tha se në 12 vjet qeveria nuk ua ka lehtësuar jetën pensionistëve duke u rritur shpërblimin për kontributin e një jete të tërë.

Gjithashtu Xhixho u ndal tek programi i “Aleancës për Shqipërinë Madhështore” në zgjedhjet e 11 majit, duke theksuar se do ta bëjë realitet minimumin jetik prej 200 euro. Xhixho po ashtu theksoi se për personat me aftësi të kufizuara që kanë nevojë, do të paguhet kujdestari dhe sigurimet e tij, si dhe do të garantohen nga shteti të gjitha mjetet sanitare dhe ndihmëse që u nevojiten. Sipas saj më 11 maj, pensionistët do të zgjedhin një Shqipëri që ua njeh sakrificat dhe ua shpërblen punën e një jete.

Deklarata e Plotë:

Pensionistët janë sot kategoria sociale më e diskriminuar, më e përjashtuar dhe më e varfër e shoqërisë. Qeveria e Edi Ramës, e cila për 12 vjet vetëm u mori votën, por nuk u rriti kurrë pensionet, pret edhe në këtë 11 maj që ata ta votojnë.

Në të gjithë vendin janë 791 mijë pensionistë që shkojnë në kutitë e votimit me lista borxhesh në dyqanet ushqimore, me pamundësinë për të blerë ilaçet për të kuruar sëmundjet, me frikën a do t’ia dalin ta paguajnë faturën e energjisë në fund të muajit dhe me sytë nga paratë që u dërgojnë fëmijët për të mbyllur muajin.

Në 12 vjet, qeveria e Edi Ramës nuk e mori mundimin t’ua lehtësonte jetën duke u rritur shpërblimin për kontributin e një jete të tërë. Jo vetëm që nuk u rriti pensionet, por nuk u garantoi as shërbime për t’ua bërë më të lehtë përballjen me sfidat e moshës.

Skenat e pensionistëve që rrinë në radhë me orë të tëra për abonenë, për barnat para farmacive apo për bonuset qesharake i kemi parë shpesh dhe vazhdojmë t’i shohim. Për qeverinë e Edi Ramës, një bonus prej 100 eurosh një herë në katër vjet, sa herë atij i duhet vota, është vetëm tallje, por edhe përçmim i turpshëm.

Pensionistët shqiptarë janë më të varfrit në rajon me një pension mesatar 160 euro, ndërsa në Kosovë është 340 euro, në Malin e Zi është 450 euro, në Maqedoninë e Veriut është 325 euro dhe në Serbi është 390 euro.

Këta njerëz që e kanë ndërtuar Shqipërinë me djersën dhe gjakun e tyre e meritojnë mirënjohjen e saj. Ky vend që po zbrazet përditë nga të rinjtë, nga fëmijët e tyre, ka detyrimin t’u thotë faleminderit për një jetë të tërë në shërbim të tij dhe këtë duhet ta bëjë jo përmes bonusve qesharake një herë në katër vjet, por përmes një plani të mirëmenduar për mbështetje reale.

Aleanca për Shqipërinë Madhështore e ka këtë plan dhe do ta bëjë realitet në 100 ditët e para.
● Do të vendosim minimumin jetik prej 200 eurosh për çdo shqiptar. Çdo pensionist, me pension të plotë apo të pjesshëm, më të ulët se 200 euro në muaj, çdo i papunë ose person në ndihmë ekonomike, çdo student me bursë dhe çdo jetim do të marrë 200 euro në muaj.
● Rriten pensionet me 20%.
● Çdo pensionist, qytetar me minimum jetik apo rrogë minimale (500 euro) do të pajiset me Kartën e Konsumatorit, me të cilën do të përfitojë kthimin e TVSH-së që paguan për blerjet e ushqimeve bazë, energjisë elektrike, ujit dhe ilaçeve, duke përfituar rreth 450 euro në vit.
● Për personat me aftësi të kufizuara që kanë nevojë, do të paguhet kujdestari dhe sigurimet e tij, si dhe do të garantohen nga shteti të gjitha mjetet sanitare dhe ndihmëse që u nevojiten.
● Çmimi i energjisë elektrike do të ulet në 7 lekë/këh.
● Çmimi i naftës do të ulet me 35-40%.
● Falen të gjitha gjobat për energjinë elektrike dhe ujin e pijshëm për pensionistët

Më 11 maj, pensionistët do të zgjedhin një Shqipëri që ua njeh sakrificat dhe ua shpërblen punën e një jete.

erisa xhixho

Sondazh

Poll