Politike

Dështon sërish seanca për konstituimin e parlamentit në Kosovë, mbledhja e radhës të shtunën

Kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari ka thënë se ka pasur përfaqësues të partive politike që braktisën konsultimet dhe si pasojë nuk pati kompromis.

17 Prill 2025, 13:37 Nga E. D
Dështon sërish seanca për konstituimin e parlamentit në
foto ilustruese

KOSOVË- Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka dështuar sërish ditën e sotme. Si pasojë e dhështimit raporti për verifikimin e mandateve të deputetëve nuk ka dalë në votim. Kryesuesi i seancës, deputeti i zgjedhur i LVV-së, Avni Dehari tha se nuk pati konsensus në konsultimet që i thirri paraprakisht me përfaqësuesit e partive politike. Mbledhja konsultative u bë me qëllimin për të arritur në një proces vendimtar për konstituimin e Kuvendit.

“Takimi shpërfaqi qëndrimet aktuale të tyre. Pati përfaqësues që e braktisën konsultimin. Fatkeqësisht nuk pati konsensus. Seanca do të vazhdojë brenda 48 orëve, në orën 12:00 më 19 prill 2025, me shpresë që deri atëherë të ketë pajtueshmëri”, tha ai.

Në mbledhjen e konsultimeve ishin 100 deputetë të pranishëm. Konstituimi i Kuvendit do t’i hapte rrugë votimit të kryeparlamentarit e më pas qeverisë së re.

Nga ana tjetër, kreu i seancës theksoi se më 16 prill, i dërgoi letër presidentes, përmes së cilës i kërkoi sugjerime se si të veprohet në vazhdim. Lidhur me këtë, ai shton se presidentja Vjosa Osmani nuk ofroi zgjidhje përfundimtare, por kjo e fundit kërkoi që partitë të gjejnë vullnet për ta zhbllokuar situatën.

Ndërkohë Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e quajti shkelje të rendë dhe praktikë të mbrapshtë, vendimin e kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari. Abdixhiku mes tjerash tha se Dehari, që sipas tij, ka rastisur të jetë nga Lëvizja Vetëvendosje veproi padrejtësisht pasi sipas tij, kishte kuorum për të vazhduar me votimin e raportit të Komisionit për verifikim të mandateve.

Ndërsa Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se LVV-ja nuk ka shumicë dhe nuk është as afër arritjes së shumicës, prandaj sipas tij, po pengon mbarëvajtjen e seancën konstituive, për të blerë kohë për pazare politike.  Sipas Krasniqit, përmes kryesuesit Dehari, LVV-ja po mban peng formimin e institucioneve të Kosovës.

“Skenari ka qenë i qartë, e vetmja punë që ka pasur ai [kryesuesi i seancës Avni Dehari] është që të hidhte në votim raportin e Komisionit për verifikimin e mandatave dhe kuroumit”, tha Krasniqi.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, tha se si subjekt politik kanë pritur që seanca të vazhdojë me votimin e raportit të 15 prillit të Komisionit për verifikim të mandateve të deputetëve e jo të ndërpritet sërish seanca. Kadrijaj tha se kryesuesi i seancës konstituive nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, veproi jashtëligjshëm kur ndërpreu seancën.

seanca konstituive e kuvendit të kosovës

Sondazh

Poll