Bota

Gaza drejt katastrofës totale/ OKB paralajmëron krizën më të rëndë humanitare që nga nisja e luftës

Pas 45 ditësh pa ndihma, Gaza përballet me kolaps të plotë humanitar – OKB flet për “situatën më të keqe në 18 muaj”, ndërsa Izraeli mban të mbyllura të gjitha kalimet

14 Prill 2025, 20:37 Nga A.Ll
Gaza drejt katastrofës totale/ OKB paralajmëron krizën më
Vendkalimet per ndihmat humanitare ne Gaza

GAZA - Rripi i Gazës po përjeton një nga momentet më të errëta në historinë e tij, teksa Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) ka lëshuar një alarm të kuq për përkeqësimin dramatik të situatës.

Në një deklaratë të fortë për mediat, OCHA paralajmëroi se “situata humanitare tani është ndoshta më e keqja që nga fillimi i armiqësive 18 muaj më parë,” duke shtuar se furnizimi i fundit me ndihma humanitare në enklavë ndodhi para më shumë se 45 ditësh – periudha më e gjatë pa ndihmë që nga shpërthimi i konfliktit.

Më 2 mars, Izraeli bllokoi të gjitha pikat e kalimit në Gaza, duke ndaluar çdo dërgesë ushqimi, mjekësie apo ndihme jetike për civilët palestinezë. Kjo erdhi pas përfundimit të një armëpushimi dy mujor, ndërsa forcat izraelite rifilluan ofensivën ushtarake në të gjithë territorin.

“Ndërprerja e furnizimeve është më e gjata deri më sot,” deklaron OKB, duke paralajmëruar se mungesat kanë shkuar në nivele katastrofike: ushqimi, uji i pijshëm, ilaçet dhe karburanti janë thuajse të pamundur për t'u siguruar. Mbi 2 milionë banorë të Gazës janë të detyruar të mbijetojnë në kushte të pamundura, shumë prej tyre pa strehë, pa ndriçim dhe me vetëm një vakt në ditë – ose asnjë.

Ndërkohë që për komunitetin ndërkombëtar ndihmat janë shpëtimi i vetëm për popullsinë, autoritetet izraelite kanë shprehur rezervat e tyre të forta për mënyrën se si menaxhohen ato brenda Gazës. Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, ka deklaruar se ndihma humanitare është shndërruar në "burimin kryesor të të ardhurave për Hamasin", duke justifikuar kështu vazhdimin e bllokadës së plotë.

Por OKB ka ngritur zërin kundër këtij qëndrimi, duke theksuar se "mbyllja e vendkalimeve, e përforcuar nga kufizimet e brendshme, ka reduktuar ndjeshëm dërgesat jetike dhe ka çuar në rritje të vdekshmërisë dhe urisë në territor."

Me spitalet që nuk kanë më energji elektrike, qendrat mjekësore që nuk furnizohen më me barna, dhe me popullsinë civile që jeton nën rrezikun e përhershëm të bombardimeve, situata në Gaza është zhvendosur drejt një krize të paprecedentë humanitare. Agjencitë ndërkombëtare po raportojnë rritje alarmante të rasteve të kequshqyerjes, veçanërisht mes fëmijëve, dhe rrezikun real të një urie masive në javët e ardhshme.

Në këtë kontekst të errët, OKB po bën thirrje për hapjen urgjente të koridoreve humanitare, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po përballet me një test të rëndësishëm etik dhe diplomatik.

“Nuk ka më kohë për vonesa,” paralajmëron OCHA. “Çdo ditë që kalon pa furnizime, janë jetë të humbura.”

rripi i gazës izraeli okb

Sondazh

Poll