Bota

Trump “shpërthen” kundër Zelenskyt: Luftën e nisi vetë, tani do raketa!/ SHBA i mbyll dyert Ukrainës pas masakrës në Sumy

I vendosur për të mos e furnizuar më Kievin me armë, Trump shpall ftohjen totale me Zelenskyn, ndërsa Rusia intensifikon bombardimet

14 Prill 2025, 20:30 Nga A.Ll
Trump “shpërthen” kundër Zelenskyt: Luftën e nisi
Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky

UASHINGTON - Donald Trump, tashmë në ditën e 90-të të presidencës së tij, ka hedhur edhe njëherë publikisht akuza të ashpra ndaj presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, duke e akuzuar për “nisjen e luftës me Rusinë” dhe “lutjet e përhershme për më shumë armë” nga Perëndimi.

Në një deklaratë që po trondit jo vetëm Kievin por edhe aleatët e NATO-s, Trump theksoi se "nuk mund të fillosh një luftë me dikë që është 20 herë më i madh dhe thjesht të shpresosh që bota do të të japë raketa".

Deklarata vjen në një moment dramatik për Ukrainën. Vetëm dje, dy raketa ruse goditën qytetin kufitar Sumy, duke lënë pas 34 civilë të vrarë dhe mbi 100 të plagosur.

Kjo masakër ndodhi ndërsa Trump, në krah të presidentit të El Salvadorit në një takim zyrtar, nuk pranoi të komentojë drejtpërdrejt agresionin rus, por riktheu kritikat ndaj Zelenskyt dhe madje edhe ndaj paraardhësit të tij Joe Biden, duke e cilësuar gjithë këtë konflikt si “produkt i paaftësisë së të dyve”.

Trump ka lënë të kuptohet qartë se nuk do t’i shesë më armë Kievit, madje duke refuzuar një kërkesë specifike për raketat mbrojtëse Patriot, të cilat Zelensky i kërkoi me pagesë në një intervistë për “60 Minutes”. Reagimi i Trump ishte i prerë:

“Ai gjithmonë kërkon më shumë raketa. Nuk e kupton që lufta nuk fitohet me lypje.”

Ky qëndrim i ri i Shtëpisë së Bardhë përbën një kthesë dramatike nga pozicioni tradicional amerikan në mbështetje të Ukrainës, duke lënë vend për frikë të madhe në Evropën Lindore për një zbrazje të plotë të mbështetjes perëndimore dhe një dritare të hapur për avancim të lirë të Moskës.

Zyra Ovale tashmë po operon me një filozofi të re: presion të heshtur ndaj Kievit për të pranuar një marrëveshje, pa irrituar Kremlinin. Kjo është përkthyer në një mosreagim ndaj ftesave të përsëritura të Zelenskyt për vizitë në Kiev, si dhe në shpërfillje ndaj përpjekjeve të Ukrainës për të siguruar mbështetje ekonomike për kontratat e rralla të tokave të çmuara.

Në ndërkohë, Rusia nuk ka dhënë asnjë shenjë se do të ndalet. Moska ka refuzuar çdo përpjekje të Trump për një armëpushim të përkohshëm, dhe bombardimet vazhdojnë intensivisht në linjat e përparimit.

Komentet e fundit të Trump dhe Sekretarit të Shtetit Rubio, të cilët janë shprehur me fjalët: “Jemi të zhgënjyer me të dyja palët”, tregojnë një distancim të qartë nga pozicioni i dikurshëm i Perëndimit që e shihte Rusinë si agresorin e padiskutueshëm.

Retorika e presidentit amerikan, e cila ka ndezur reagime në Këshillin e Sigurimit dhe në mediat perëndimore, po interpretohet si një sinjal i qartë se Uashingtoni po i bën presion Ukrainës të pranojë kushte të pafavorshme për paqe – edhe nëse kjo nënkupton humbje të territoreve apo autonomi të dhunshme për rajonet e pushtuara.

donald trump volodymyr zelensky

Sondazh

Poll