Bota

"JO" armëpushimit/ Hamasi refuzon dorëzimin e armëve, teksa Gaza digjet dhe 13 civilë vriten nën bombat izraelite

Mes urisë, shkatërrimit dhe bllokadës së ndihmave, Hamasi hedh poshtë ofertën egjiptiane për paqe 45-ditore që kushtëzohet me çarmatimin e tij – ndërsa numri i të vrarëve palestinezë kalon 50 mijë.

14 Prill 2025, 20:01 Nga A.Ll
"JO" armëpushimit/ Hamasi refuzon dorëzimin e armëve,
Sulmet ajrore në Rripin e Gazës

RRIP I GAZËS - Konflikti i përgjakshëm në Gaza vazhdon të përshkallëzohet, ndërsa përpjekjet ndërkombëtare për një armëpushim të përkohshëm duken gjithnjë e më të dëshpëruara. Një zyrtar i lartë i Hamasit ka konfirmuar për Al Jazeera se grupi militant ka refuzuar një propozim të ri të paraqitur nga Egjipti, i cili do të garantonte 45 ditë qetësi në këmbim të dorëzimit të armëve dhe një lehtësimi të pjesshëm të bllokadës izraelite.

Ky refuzim vjen në një kohë dramatike për popullin e Gazës, ku që nga agimi i së hënës, të paktën 13 palestinezë janë vrarë nga bombardimet e reja të forcave izraelite, sipas raportimeve lokale. Në total, numri i palestinezëve të vrarë që nga fillimi i ofensivës izraelite ka tejkaluar 50,000 viktima, një shifër që thellon dhimbjen dhe zemërimin në botën arabe dhe më gjerë.

Sipas zyrtarit të Hamasit, propozimi egjiptian parashikonte një armëpushim 45-ditor, gjatë të cilit do të lejohej hyrja e ndihmave humanitare, ushqimit dhe materialeve për strehim në Gaza – mallra që prej fillimit të marsit janë ndaluar nga autoritetet izraelite, duke shkaktuar një krizë humanitare në përmasa katastrofike.

Por kërkesa për çarmatim është ajo që ka thyer negociatat. Hamasi e konsideron dorëzimin e armëve të tij si një akt të pashmangshëm kapitullimi, që do të linte Gazën të pambrojtur përballë ushtrisë më të fuqishme në rajon.

"Ne nuk mund të dorëzojmë armët tona ndërkohë që populli ynë po masakrohet," deklaroi zyrtari i Hamasit. “Pa një përfundim të plotë të agresionit izraelit dhe një tërheqje të trupave nga Gaza, nuk do të ketë marrëveshje.”

Ndërkohë, në terren situata përkeqësohet përditë. Organizatat humanitare po paralajmërojnë për rrezik urie masive, me miliona civilë që jetojnë pa ujë të pijshëm, pa energji dhe pa qasje në ndihmat bazë. Spitalet janë jashtë funksionit dhe të mbijetuarit jetojnë nën rrënoja.

Përpjekjet diplomatike nga Egjipti, Katari dhe SHBA duket se po hasin në mur – me Hamasin që kërkon garanci për një përfundim të plotë të luftës, dhe me Izraelin që këmbëngul për çarmatimin e plotë të militantëve dhe lirimin e pengjeve.

sulmet ajrore në rripin e gazës hamas izrael

Sondazh

Poll