Bota

Financial Times: Komisioni Europian i frikësohet spiunazhit, drejtuesit e institucionit do të lëvizin me telefona dhe laptopë të thjeshtë në SHBA

Sipas katër zyrtarëve me njohuri për këtë çështje të cituar nga Financial Times, direktiva e re ka të bëjë me komisionerët dhe zyrtarët e lartë që do të marrin pjesë në takimet pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore javën e ardhshme.

14 Prill 2025, 17:42 Nga r.ll
Financial Times: Komisioni Europian i frikësohet spiunazhit, drejtuesit e
foto ilustruese

BRUKSEL- Komisioni Evropian po u siguron drejtuesve të tij që udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës telefona celularë dhe laptopë të thjeshtë, në një përpjekje për të shmangur spiunazhin e mundshëm, një protokoll sigurie që deri vonë zbatohej ekskluzivisht për udhëtimet në Kinë.

Sipas katër zyrtarëve me njohuri për këtë çështje të cituar nga Financial Times, direktiva e re ka të bëjë me komisionerët dhe zyrtarët e lartë që do të marrin pjesë në takimet pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore javën e ardhshme. Siç theksojnë ata, masa është pjesë e të njëjtit protokoll sigurie që zbatohet për misionet në Ukrainë dhe Kinë, ku përdorimi i pajisjeve standarde teknologjike është i ndaluar për shkak të rrezikut të mbikëqyrjes ruse ose kineze.

"Ata kanë frikë se SHBA mund të depërtojë në sistemet e Komisionit," tha një zyrtar. Ky veprim nënvizon se sa shumë janë përkeqësuar marrëdhëniet BE-SHBA që kur Donald Trump u kthye në presidencë në janar, thuhet në artikullin e FT. Presidenti amerikan e ka cilësuar vazhdimisht BE-në si një institucion "të krijuar për të shfrytëzuar SHBA-në" dhe ka vendosur tarifa 20% për eksportet evropiane, të cilat më pas i përgjysmoi përkohësisht për 90 ditë.

Në të njëjtën kohë, Trump ka miratuar një qëndrim pro-rus, i ka bërë presion Ukrainës që të dorëzojë kontrollin e aseteve të saj përmes pezullimit të përkohshëm të ndihmës ushtarake dhe kërcënoi të tërheqë garancitë e sigurisë për Evropën, gjë që ka çuar në riarmatim në shkallë të gjerë në këtë kontinent.

"Aleanca transatlantike ka përfunduar," tha një zyrtar i pestë i BE.

Në të njëjtën kohë, Brukseli dhe Uashingtoni janë në negociata kritike për një sërë çështjesh ku të dyja palët kanë arsye për të spiunuar njëra-tjetrën. Komisioneri i Tregtisë së BE-së Maros Sefcovic do të zhvillojë bisedime me Sekretarin e Tregtisë së SHBA, Howard Latnick në Uashington të hënën në një përpjekje për të ulur tensionet tregtare. BE-ja ka miratuar tashmë kundërmasa për eksportet amerikane me vlerë 21 milionë euro, në përgjigje të tarifave amerikane për çelikun dhe aluminin, por ka vonuar zbatimin e tyre.

Polemika ekzistojnë gjithashtu në sektorin e teknologjisë, me Uashingtonin që akuzon Brukselin për heshtjen e fjalës së lirë dhe manipulimin e zgjedhjeve, duke përmendur përjashtimin e fundit të një kandidati presidencial në Rumani për shkak të rritjes së popullaritetit të tij përmes platformës "TikTok".

Tre komisionerë të BE-së do udhëtojnë në Uashington për takimet e FMN-së dhe Bankës Botërore nga 21 deri në 26 Prill: Komisioneri i Ekonomisë Valdis Dombrovskis, Komisioneri i Shërbimeve Financiare Maria Luiz Albuquerque dhe Komisioneri i Ndihmës për Zhvillim Jozef Sicela.

Komisioni konfirmoi se udhëzimet e sigurisë u rishikuan kohët e fundit, por nuk dha detaje më specifike. KE vetëm theksoi se është përfshirë edhe shërbimi diplomatik i BE-së, siç është zakon në raste të tilla. Sipas udhëzimeve, të gjithë drejtuesve që udhëtojnë në SHBA u kërkohet të fikin telefonat e tyre në kufi dhe t'i vendosin në kuti të veçanta mbrojtëse kur lihen pa mbikëqyrje.

Për më tepër, ekziston një rrezik i veçantë në SHBA, pasi rojet kufitare kanë të drejtë të konfiskojnë dhe kontrollojnë telefonat dhe kompjuterët e vizitorëve. Komisioni Evropian tani po u kërkon punonjësve të tij që të udhëtojnë me dokumente diplomatike (laissez-passer) dhe jo me pasaporta kombëtare, si pjesë e forcimit të mbrojtjes së tyre.

komisioni europian shba financial times

Sondazh

Poll