Bota

Kina i kërkon SHBA-së të anulojë tarifat/ Lufta tregtare thellohet mes dy gjigantëve ekonomikë

Deklarata e Ministrisë së Tregtisë së Kinës vjen pas vendimit të fundit të presidentit amerikan Donald Trump për të rritur tarifat mbi importet kineze në 145%

13 Prill 2025, 20:09 Nga A.Ll
Kina i kërkon SHBA-së të anulojë tarifat/ Lufta tregtare
Donald Trump

PEKIN - Kina i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që të “anulojnë plotësisht” tarifat ndaj mallrave kineze, teksa tensionet tregtare mes dy ekonomive më të mëdha të botës vijojnë të përshkallëzohen. Deklarata e Ministrisë së Tregtisë së Kinës vjen pas vendimit të fundit të presidentit amerikan Donald Trump për të rritur tarifat mbi importet kineze në 145%, pavarësisht një pauze 90-ditore të paralajmëruar për disa tarifa globale.

“Ne i bëjmë thirrje SHBA-së të korrigjojë gabimet, të heqë dorë nga praktika e tarifave reciproke dhe të rikthehet në rrugën e respektit të ndërsjellë,” thuhet në reagimin zyrtar të Pekinit.

Administrata Trump ka përjashtuar përkohësisht disa produkte teknologjike nga tarifa e re, përfshirë telefonat inteligjentë, kompjuterët dhe gjysmëpërçuesit – një vendim që u mirëprit nga industria e teknologjisë dhe konsumatorët. Por Kina e cilësoi këtë si një “hap të vogël” dhe tha se po vlerëson ndikimin real të masës.

Trump fillimisht vendosi një tarifë 54% për produktet kineze në fillim të prillit, përpara se ta ngrinte atë në normën aktuale prej 145%. Kina reagoi duke rritur taksat për mallrat amerikane nga 34% në 125%.

Ndërsa Uashingtoni e paraqet këtë strategji si një taktikë negociuese për kushte më të favorshme tregtare, Pekini ka paralajmëruar se do të “luftojë deri në fund” nëse SHBA këmbëngul në provokimin e një “lufte tarifore”.

Megjithëse Shtëpia e Bardhë pretendon se tarifat do të rikthejnë vendet e punës dhe do të mbrojnë industrinë amerikane, efektet anësore tashmë ndihen: luhatje në tregjet financiare, pasiguri për investitorët dhe frikë për një ngadalësim të tregtisë globale që mund të ndikojë në ekonominë botërore.

donald trump kina tarifat

Sondazh

Poll