Bota

“Lufta ekziston sepse Rusia e dëshiron”/ Meloni dënon masakrën në Sumy: Sulm frikacak mbi civilët

Të paktën 31 të vrarë dhe mbi 80 të plagosur, mes tyre edhe fëmijë, nga një sulm rus me raketa në qytetin ukrainas të Sumy. Liderët europianë shprehin indinjatë dhe kërkojnë që Rusia të ndalë agresionin ndaj civilëve

13 Prill 2025, 16:47 Nga A.Ll
“Lufta ekziston sepse Rusia e dëshiron”/ Meloni dënon
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni

ITALI - Një tjetër sulm vdekjeprurës goditi qytetin ukrainas të Sumy të dielën e Palmës, ku një raketë ruse la pas të paktën 31 të vrarë dhe mbi 80 të plagosur, mes tyre edhe 10 fëmijë. Qendra e qytetit u godit brutalisht, duke shkaktuar viktima në mesin e popullsisë civile.

Ngjarja tronditi liderët e Bashkimit Europian, të cilët reaguan menjëherë me dënim të ashpër të veprimit të Moskës. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, e quajtën sulmin “të papranueshëm”, duke theksuar se një dhunë e tillë është pengesë e drejtpërdrejtë për çdo përpjekje për paqe.

“Në ditën e shenjtë të së dielës së Palmave, një tjetër sulm i tmerrshëm dhe frikacak rus ndodhi në Sumy, i cili shkaktoi edhe një herë viktima në popullatën civile, mes të cilëve – për fat të keq – ka edhe fëmijë,” u shpreh Meloni në një deklaratë me shkrim.

Ajo shtoi se “dënon fuqishëm këtë dhunë të papranueshme, e cila bie ndesh me çdo përpjekje reale paqeje të mbështetur nga Italia dhe presidenti Trump.” Kryeministrja italiane shprehu gjithashtu ngushëllime të thella për familjet e viktimave dhe gjithë popullin ukrainas.

Edhe Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, e cilësoi sulmin si një akt që tregon qartë se “lufta vazhdon sepse Rusia e dëshiron atë”, duke e quajtur “të neveritshëm” agresionin ndaj civilëve, veçanërisht në ditë me simbolikë të veçantë si Diela e Palmës.

Ky sulm përkon me një përshkallëzim të ri të tensioneve në Ukrainë, ndërsa komuniteti ndërkombëtar rrit presionin diplomatik ndaj Moskës. Bashkimi Evropian është zotuar për mbështetje të mëtejshme për Kievin, si në aspektin humanitar ashtu edhe në mbrojtje.

kryeministrja italiane giorgia meloni presidenti i këshillit evropian antonio kosta sumy

Sondazh

Poll