Aktualitet

Pas skandalit të mishit të pulës me salmonelë në Shqipëri, AUV në Kosovë urdhëron kontrolle shtesë për dërgesat nga Brazili

Thaçi ka deklaruar gjithashtu se deri më tani nuk ka asnjë fakt që tregon lidhje me incidentin në Shqipëri pas skandalit, ku u gjetën tetë tonë mish i kontaminuar me salmonelë.

5 Prill 2025, 11:18 Nga M.L
Pas skandalit të mishit të pulës me salmonelë në
Foto ilustruese

KOSOVË- Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë, Lamir Thaçi, ka deklaruar se janë ndërmarrë veprime shtesë për të hequr dyshimet për mishin e pulës me origjinë nga Brazili. Thaçi ka deklaruar gjithashtu se deri më tani nuk ka asnjë fakt që tregon lidhje me incidentin në Shqipëri pas skandalit, ku u gjetën tetë tonë mish i kontaminuar me salmonelë.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, përmes trupave inspektuese, ka ndërmarrë të gjitha veprimet ekzekutive për të hequr dyshimet për mishin me origjinë nga Brazili. Pas lëshimit të urdhëresës për kontrolle shtesë, në import kanë ardhur 7 ngarkesa. Nga secila ngarkesë është marrë nga një mostër, ku sipas procedurës, ngarkesat mund të bllokohen deri në daljen e rezultateve. Po ashtu, në kontrollin e brendshëm janë realizuar dy kontrolle në pika shitjeje, nga të cilat janë marrë dy mostra nga lote të ndryshme prodhimi”, tha Thaçi.

Thaçoi tha se Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë ka realizuar kontrolle shtesë në import dhe në pika shitjeje, duke marrë mostra për testim dhe sasitë e dyshuara janë tërhequr dhe bllokuar deri në daljen e rezultateve.

“Sasitë e lotëve të mostruar janë tërhequr dhe bllokuar deri në rezultate. Është inspektuar edhe depoja e operatorit ekonomik importues, ku përveç masës së ndalimit të përkohshëm të nxjerrjes në treg të produktit në stok, është marrë një mostër për testim. Të gjitha mostrat janë mbledhur nga pikat kufitare dhe kontrolli i brendshëm. Ato janë në laborator dhe ka nisur procesi i testimit. Për kohën e nxjerrjes së rezultateve, nuk mund të japim afat ose datë tani. Gjithçka varet nga dinamika e procesit të testimit nga laboratori. Në momentin e parë të nxjerrjes së rezultateve, do ta informojmë publikun me të gjeturat”, shtoi ai.

Thaçi tha më tej se kontrolli vazhdon në kufij dhe brenda vendit për të siguruar konsumatorët dhe për të garantuar sigurinë ushqimore duke shtuar se rezultatet e testimeve priten në ditët vijuese.

“Si masë shtesë kemi vendosur edhe në kufijtë e Kosovës, jemi mirë të përgatitur që në çdo situatë të përgjigjemi konform rrezikut që paraqitet. Në çdo kohë lajmërimet dhe kontrollet që kryhen janë në drejtim të sigurisë ushqimore në çdo kohë. Këto masa i kemi për të hequr dyshimet e konsumatorëve”, përfundoi Thaçi.

kosove

Sondazh

Poll