Aktualitet

Ndarja nga jeta e aktores Margarita Xhepa/ Reagon kolegia e saj, Rajmonda Bulku: Të ikësh si Margarita është vlerë! Do të na mungojë të gjithëve

Bulku kujton momentin kur e ka takuar për herë të parë të ndjerën, në moshën 16-vjeçare, gjatë xhirimeve për filmin 'Dimri i Fundit' dhe ka theksuar talentin e bukurinë që e karakterizonte aktoren. 

3 Prill 2025, 12:55 Nga M.L
Ndarja nga jeta e aktores Margarita Xhepa/ Reagon kolegia e saj, Rajmonda Bulku:
Foto ilustruese

TIRANË- Ndarja nga jeta e aktores së shquar shqiptare, Margarita Xhepa ka tronditur botën e artit dhe jo vetëm. Në një intervistë për RTSH 24, aktorja Rajmonda Bulku ka shprehur trishtimin për humbjen e ikonës së kinematografisë. Bulku kujton momentin kur e ka takuar për herë të parë të ndjerën, në moshën 16-vjeçare, gjatë xhirimeve për filmin 'Dimri i Fundit' dhe ka theksuar talentin e bukurinë që e karakterizonte aktoren. 

Margarita ishte një aktore dhe një mikeshë që do na mungojë të gjithëve. Në filmin “Dimri i Fundit”, unë isha 16-vjeçe ku shkoj për të luajtur rolin dhe aty për herë të parë pash Margarita Xhepën. Ajo ishte aq e bukur sa vetëm rrija dhe e shikoja. Në një moshë të re ajo duhet të luante rolin e një fshatare dhe vetëm e nxinin që ta rrisnin në moshë, por ajo vetëm ndriçonte. Atë nuk e shëmtoje dot se ajo e bënte rolin me talentin e saj të mrekullueshëm. Sytë e asaj ndritën dhe performancat e saj ishin të jashtëzakonshme. Kontaktin e parë e kisha 16-vjeçe, por pastaj ishim kolege në teatër dhe ishte kënaqësi të punon me Margaritën. Ajo ishte një talent dhe mbeteshe pa frymë me bukurinë dhe talentin e saj. Ishte një mike shumë e mirë, mund të komunikoje shumë lehtësisht me të. Margarita kishte një zemër të madhe dhe një mendje të hapur me të gjitha moshat”, u shpreh aktorja Bulku.

Bulku ka shtuar më tej se Margarita Xhepa ka lënë gjurmë jo vetëm në kinematografinë vendase por edhe tek ajo greke. Bulku tha se aktorja e ndjerë ishte një figurë dimensionale dhe tepër e përkushtuar në çdo rol që i jepej. 

“Margarita kishte lënë gjurmë edhe në Greqi, me të duhet të krenohemi jo vetëm brenda por edhe jashtë. Ishte e mrekullueshme me një sharmë femëror të rrallë në kinema. Luajti shumë bukur edhe tragjedinë, ishte një figurë shumë dimensionale, ajo luante në komedi, ka luajtur dramën shqipe me shumë personalitet për gruan shqiptare. Çfarëdo roli që t’i jepje Margaritës ajo zhytej e tëra, ishte mjaft e përkushtuar, kërkuese dhe këmbëngulëse për të bërë më të mirën. Ishte model i disiplinës, punës dhe seriozisht dhe nëse ti punoje me të do shkojë në gjurmën e saj. Ajo jetoi deri në fund duke e dashur skenën, ekranin dhe takimet me njerëzit”,  shtoi ajo.

Në përfundim Bulku kujtoi momentin dhe bisedën e fundit që kishte kur e ka takuar në spital duke shtuar se ajo ishte gjithmone optimiste edhe kurrë nuk ankohej. 

“Bisedën e fundit e kisha kur ajo ishte në spital dhe nuk thoshte jam keq, ishte gjithmonë optimiste. Të ikësh si Margarita është vlerë, është nder dhe do të kujtohet në mënyrë të jashtëzakonshme. Do të kujtohet për mrekullitë që i dha artit dhe shoqërisë shqiptare”, përfundoi Bulku.

rajmonda bulku margarita xhepa

Sondazh

Poll