Bota

Mbi 1,900 shkencëtarë amerikanë nënshkruajnë letrën e hapur/ Bëjnë paralajmërimin: Administrata Trump po dëmton kërkimin shkencor

Sipas tyre, shkurtimet e financimeve dhe pengimi i bashkëpunimit shkencor po vënë Shtetet e Bashkuara në disavantazh

31 Mars 2025, 18:29 Nga A.Ll
Mbi 1,900 shkencëtarë amerikanë nënshkruajnë
Demonstruesit në një tubim "Stand Up For Science"

SHBA - Më shumë se 1,900 shkencëtarë amerikanë, përfshirë 19 laureatë të Çmimit Nobel, kanë nënshkruar një letër të hapur duke paralajmëruar se administrata e presidentit Donald Trump ka ndikuar negativisht në kërkimin shkencor në SHBA.

Letra, e iniciuar nga një grup i Akademive Kombëtare të Shkencave, Inxhinierisë dhe Mjekësisë, thekson se politikat e ndjekura gjatë kësaj periudhe kanë pasur pasoja serioze mbi zhvillimin e shkencës dhe inovacionit në vend.

Sipas shkencëtarëve që e kanë nënshkruar këtë letër, administrata Trump ka reduktuar ndjeshëm financimet për agjencitë shkencore, ka shkurtuar grantet për shkencëtarët dhe ka kufizuar fondet për laboratorët e tyre. Gjithashtu, politika e administratës ka ndikuar negativisht në bashkëpunimin shkencor ndërkombëtar, duke e izoluar komunitetin shkencor amerikan nga partneritetet globale.

"Lëvizje të tilla do ta vendosin Shtetet e Bashkuara në disavantazh krahasuar me vendet e tjera", thuhet në letrën e hapur. Shkencëtarët pohojnë gjithashtu se ata flasin edhe në emër të kolegëve të cilët kanë zgjedhur të heshtin nga frika se mos antagonizojnë administratën dhe rrezikojnë financimin e tyre.

Letra gjithashtu shpreh shqetësimin për ndikimin e politikave të administratës Trump në përballjen me sfida madhore si ndryshimet klimatike, pandemitë dhe zhvillimet teknologjike.

Shkencëtarët u bëjnë thirrje politikëbërësve amerikanë të rivlerësojnë mbështetjen e tyre ndaj shkencës dhe të rrisin investimet në kërkim e zhvillim, për të ruajtur lidershipin shkencor të Shteteve të Bashkuara në arenën globale.

 

1 900 shkencëtarë amerikanë donald trump leter e hapur

Sondazh

Poll