Politike

Vizitoi sot varrin e të atit/ Zbardhen detaje nga vizita e Hashim Thaçit në Kosovë: Do të qëndrojë brenda objekteve të EULEX-it dhe do të presë...

Ditën e nesërme Hashim Thaçin do ta vizitojë familja për t’i shprehur ngushëllime për vdekjen e babait, e më pas ai do të kthehet në Hagë.

21 Mars 2025, 16:28 Nga r.ll
Vizitoi sot varrin e të atit/ Zbardhen detaje nga vizita e Hashim
hashim thaci

KOSOVË- Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbërritur ditën e sotme në Kosovë, ku ka vizituar varrin e të atit, Haxhi Thaçit në Burojë. Ai nuk mundi t'i jepte lamtumirën e fundit babait të tij, pasi Gjykata Speciale e Hagës nuk e lejoi që merrte pjesë të martën në varrim.

I përcjellë me masa të rrepta sigurie në një automjet të EULEX-it, i shoqëruar edhe nga vetura të policisë së Kosovës, Thaçi ka qëndruar në shtëpinë e familjes në Burojë për rreth dy orë nga ku ka dalë duke përshëndetur të pranishmit nga brenda automjetit me xhama të errët.

Sipas mediave në Kosovë kjo vizitë është aprovuar me disa kushte specifike. Hashim Thaçi sonte do të qëndrojë në Kosovë, më saktësisht brenda objekteve të EULEX-it ku nesër do ta vizitojë familja për t’i shprehur ngushëllime për vdekjen e babait, e më pas ai do të kthehet në Hagë. Gjykata e Hagës ka deklaruar se vizita është aprovuar për “arsye bindëse humanitare”.

“Trupi gjykues dhe gjyqtari i procedurës paraprake kanë udhëzuar Sekretarin që të menaxhojë një vizitë të mbikëqyrur në Kosovë për Hashim Thaçin që t’i bëjë nderimet dhe të jetë me familjen e ngushtë. I akuzuari mbetet në paraburgim dhe në kujdestari nga Dhomat e Specializuara”, ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës Sepciale, Michale Doyle për Gazeta Express.

Kjo është vizita e dytë në Kosovë e Hashim Thaçit brenda një intervali të shkurtër kohor. Ai ishte në Prishtinë më 13 mars ku për disa orë ka qëndruar në QKUK për të vizituar babanë që po trajtohej aty, që më vonë u kuptua se ishte në ditët e fundit të jetës.

 

hashim thaci eulex

Sondazh

Poll