Aktualitet

Kreditë e buta për administratën/ Premtime “bosh” për Policinë e Shtetit, 25 kuota në total për 12 mijë efektivë

Praktikisht, një nga institucionet më të mëdha në vend, përveçse nga rëndësia, Policia e Shtetit, që ka në organikën e saj 12 mijë punonjës, duhet të ketë edhe numrin më të lartë të kuotave, por kjo gjë nuk ka ndodhur.

17 Mars 2025, 15:04 Nga Dosja
Kreditë e buta për administratën/ Premtime “bosh”
Policia e shtetit

TIRANË - Qeveria ka vendosur për të tretën herë radhazi riapjen e procesit për kreditë e buta në administratë. Në ndryshim nga dy herët e kaluara këtë herë do të ketë numër më të lartë të gjithëpërfshirjes. Për përfitimin e kredisë aplikantët duhet të mos kenë banesë në pronësi apo në proces legalizimi, të mos zotërojnë pasuri të paluajtshme dhe të mos jenë përfitues nga programe të tjera të strehimit social.

Kuotat e përgjithshme të kredive të lehtësuara për nëpunësit civilë dhe nëpunësit e tjerë të administratës publike, për vitin 2025 janë gjithsej 530, dhe shumicën e përbëjnë punonjësit e Ministrisë së Brendshme, të Arsimit dhe Shëndetësisë.

Por çfarë ka ndodhur me shpërndarjen e 530 kuotave. Një numër të konsiderueshëm të tyre, gati 90 i ka Ministria e Brendshme, bashkë me institucionet e varësisë si Garda e Republikës, Autoriteti i Mbikqyrjes Policore, Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, si dhe disa institucione të tjera varësie të vogla. Praktikisht, një nga institucionet më të mëdha në vend, përveçse nga rëndësia, Policia e Shtetit, që ka në organikën e saj 12 mijë punonjës, duhet të ketë edhe numrin më të lartë të kuotave, por kjo gjë nuk ka ndodhur.

Ndarja e kuotave është bërë si më poshtë:

25 kuota për Policinë e Shtetit

15 kuota për Gardën e Republikës

10 kuota për Agjënsinë e Mbikqyrjes Policore

40 kuota për aparatin dhe varësinë e Ministrisë së Brendshme.

Për ta kuptuar më thjesht, pra për 12 mijë punonjës policie, vetëm 25 prej tyre, do të mund të përfitojnë nga lehtësirat e krijuara nga shteti shqiptar për tu bërë pronarë të një banese. 

Sondazh

Poll